Pas emergjencës së zjarreve të verës së 2025-ës, vendi po përballet me dëme të mëdha këtë fillim viti nga përmbytjet. Paradoksalisht me situatën, qeveria po përgjigjet duke ulur buxhetin për emergjencat civile. Nga më shumë se 5.4 miliardë lekë në projektbuxhetin 2025, për vitin e ardhshëm për emergjencat civile janë parashikuar më pak se 5.3 miliardë lekë. “Nuk kam se çfarë them. Buxheti duhej të ishte rritur, jo ulur. Kur përballesh çdo vit me zjarre, përmbytje dhe emergjenca të tjera, ulja e fondeve për mbrojtjen civile është një sinjal i gabuar për pushtetin vendor”, tha Adelina Farrici, Shoqata për Autonomi Vendore.
“Është vërtet paradoksale. Nga njëra anë flasim për ndryshime klimatike dhe rritje rreziku, nga ana tjetër planifikojmë më pak para për t’u përballur me to”, u shpreh Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare. Qeveria ndërkohë ka rritur lehtë fondet për ujitjen dhe kullimin. Vitin e ardhshëm 61 njësive të pushtetit vendor do t’iu ndahen gati 1.2 miliardë lekë nga 1 miliard këtë vit. Po a mjaftojnë 200 milionë lekë më shumë për të parandaluar përmbytjet?
“200 milionë lekë më shumë për ujitjen dhe kullimin nuk mjaftojnë për të parandaluar përmbytjet. Këto fonde mezi mbulojnë mirëmbajtjen minimale, jo investimet që duhen për të ulur realisht riskun”, deklaroi për Adelina Farrici, Shoqata për Autonomi Vendore.
“Problemi nuk është vetëm shuma, por edhe shpërndarja dhe planifikimi. Pa një strategji afatgjatë, fondet shtesë rrezikojnë të shkojnë vetëm për ndërhyrje emergjente, jo për parandalim”, theksoi Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare.
Veç këtyre fondeve Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka fonde të dedikuara për Menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, që shkojnë për investime në kanalet kulluese apo ujitëse si dhe në hidrovore kryesisht në aspektin bujqësor. Janë 3.6 miliardë lekë për këtë qëllim në buxhet, teksa paratë në dispozicion vitin e kaluar ishin 3.4 miliardë lekë. “Bashkitë janë në vijën e parë të përballjes me përmbytjet, por nuk kanë mjetet e nevojshme financiare. Në fund, kostoja bie mbi buxhetet vendore dhe mbi qytetarët”, tha Adelina Farrici, Shoqata për Autonomi Vendore.
“Pa investime serioze në kanalet kulluese dhe hidrovore, këto para nuk do të sjellin ndryshim. Ne vazhdojmë të paguajmë pasojat, në vend që të financojmë parandalimin”, deklaroi Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare.
Vetë bashkitë kanë fonde të dedikuara për ujitjen dhe kullimin që i marrin si transfertë nga buxheti i shtetit, që për këtë vit janë pak më shumë se 1.6 miliardë lekë, me rritje të lehtë në raport me vjet./ A2CNN






