Ballina Aktualitet Detyrim i ri për baret, restorantet-hotelet: Për çdo karrige në trotuar do...

Detyrim i ri për baret, restorantet-hotelet: Për çdo karrige në trotuar do të mbillet një pemë

Baret, restorantet dhe hotelet mund të shfrytëzojnë deri në 25% të gjerësisë së trotuarit për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve për qëllimi biznesi.

Por tashmë, dhënia e çdo leje të re për shfrytëzimin deri në 25% të trotuarit, do të kushtëzohet nga zbatimi i bizneseve të një detyrimi të ri: për të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur. Detyrimi për mbjelljen e një pemë për çdo karrige të vendosur në trotuar do të jetë edhe për kioskat.

E paralajmëruar që në muajin shtator 2025, Këshilli i Ministrave tashmë nëpërmjet një projektvendimi ka propozuar rregullat e reja për shfrytëzimin e hapësirave publike.

Projektvendimin “Për miratimin e rregullores së shfrytëzimit të hapësirës publike” përbëhet nga 13 kapituj dhe përcakton një kuadër të ri dhe të detajuar për administrimin dhe shfrytëzimin e hapësirave publike në nivel kombëtar.

Rregullorja fillimisht dispozitat e përgjithshme dhe përcakton strukturat përgjegjëse për zbatimin dhe monitorimin, si dhe rregullon në mënyrë specifike përdorimin e hapësirave nga bizneset gastronomike (bare, restorante, hotele), ekspozimin e mallrave jashtë njësive tregtare, aktivitetet ambulante dhe tregjet.

Gjithashtu, trajton rregullat e reja për dhënien e lejeve për vendosjen e kioskave dhe strukturave reklamuese (si city light dhe tabela LED), përdorimin e fasadave për reklama, organizimin e panaireve, aktiviteteve promovuese, kulturore e politike, si dhe menaxhimin e hapësirave publike në plazhe dhe rregulla të reja për zënien e trotuareve me skela gjatë punimeve të ndërtimit.

Në fund, përfshin dispozitat përfundimtare që rregullojnë zbatimin e saj në praktikë.

Për shfrytëzimin e hapësirave publike nga bizneset gastronomike (bare, restorante, hotele), specifikisht në rregullore përcaktohet se për rastet kur parashikohet vendosja e karrigeve, subjekti është i detyruar të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur. “Leja konsiderohet e vlefshme vetëm pas dokumentimit zyrtar të mbjelljes së pemëve dhe përmbushjes së plotë të detyrimeve tatimore dhe financiare përkatëse”, citohet në rregullore.

Por në mënyrë kategorike rregullorja ndalon për këto biznese vendosjen e strukturave erëpritëse, vazove apo tapeteve mbi hapësirë të gjelbër. Ndërsa zgarat pjekëse me qymyr apo elektrike ndalohen të vendosen në trotuar pa aspirator.

Aplikimet për lejet e shfrytëzimit të trotuareve do të kryhen pranë pushtetit vendor nëpërmjet platformës e-Albania.

Afati i lejes së dhënë do të jetë 2 vjeçar, ndërsa për lejet provizore për raste festash afati do të jetë 30 ditë.

Rregullorja gjithashtu vendos masa të ashpra për të gjitha kategoritë e bizneseve që shkelin kushtet e përcaktuara në leje.

Si fillim bizneseve u jepet paralajmërim për korrigjimin e shkeljeve me afat nga 2 deri 5 ditë. Nëse shkeljet nuk korrigjohen subjekti gjobitet jo më pak se 35.000 lekë për metër katror, në varësi të sipërfaqes së shfrytëzuar.

Prej muajsh në mbarë vendin nga institucionet përkatëse vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike. Në muajin shtator 2025 kryeministri Edi Rama paralajmëroi rregulla të reja për shfrytëzimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar se për çdo karrige të zënë do të mbillet një pemë.

 

Pjesë nga projektvendimi për rregullat e reja të shfrytëzimit të hapësirave publike

KREU III

SHFRYTËZIMI I HAPËSIRAVE PUBLIKE NGA KATEGORIA E AKTIVITETEVE GASTRONOMIKE (BAR, RESTORANTE, HOTELERI DHE SHËRBIME TË NGJASHME) DHE REKREATIVE

 

Neni 15

Përshkrimi i përgjithshëm i aktivitetit

Në këtë kre përcaktohen kushtet për përdorimin e hapësirave publike nga subjektet që ushtrojnë aktivitete gastronomike (bare, restorante, kafene, fast-food, hoteleri dhe aktivitete të tjera të ngjashme) dhe rekreative. Përdorimi i hapësirave publike për këto aktivitete duhet të garantojë akses të lirë dhe pa barriera fizike për qytetarët, ruajtjen e karakterit urban, estetik dhe funksional të qytetit, si dhe përputhjen me legjislacionin në fuqi për mjedisin, turizmin, shëndetin publik dhe planifikimin e territorit.

Neni 16

Aktivitetet e lejuara në hapësirën publike

1.Në hapësirat publike lejohen të zhvillohen vetëm aktivitete që janë në përputhje me qëllimin e krijimit të tyre, duke respektuar funksionin, kushtet e përdorimit dhe shërbimet e lejuara, të përcaktuara nga autoriteti përgjegjës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

2.Aktivitetet e lejuara përfshijnë zgjerimin e aktiviteteve gastronomike dhe rekreative të subjekteve ekzistuese, të vendosura pranë këtyre hapësirave, me qëllim rritjen e kapaciteteve, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe përshtatjen me traditën mesdhetare të përdorimit të hapësirave të jashtme, në harmoni me karakteristikat klimatike dhe ritmin e jetës urbane.

3.Për qëllimet e këtij neni, aktivitetet e lejuara përfshijnë:

a)vendosjen e tavolinave, karrigeve dhe çadrave të lëvizshme për ofrimin e shërbimeve gastronomike (bare, restorante, kafene, hotele dhe aktivitete të ngjashme);

b)vendosjen e pajisjeve të lëvizshme të lojërave për fëmijë, të cilat duhet të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijëve, të certifikuara për siguri sipas standardeve në fuqi, të mirëmbajtura në mënyrë të rregullt dhe të vendosura në kushte që garantojnë sigurinë, higjienën dhe mbikëqyrjen e tyre;

c)aktivitete të përkohshme kulturore dhe rekreative, të miratuara me leje nga autoriteti përgjegjës.

4.Në çdo rast, shfrytëzimi i hapësirave publike për këto aktivitete kryhet duke garantuar aksesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, si dhe duke respektuar kufizimet dhe kushtet e përcaktuara në këtë rregullore dhe duke ndaluar ndërtimin e strukturave të përhershme.

5.Aktivitetet e lejuara në hapësirat publike zhvillohen vetëm në përputhje me dokumentet e planifikimit të territorit, legjislacionin për turizmin dhe menaxhimin e plazheve, Kodin Rrugor, legjislacionin për trashëgiminë kulturore dhe aktet ligjore e nënligjore në fushën e shëndetit publik.

6.Përpara miratimit të lejeve të shfrytëzimit, Bashkia duhet të kryejë një analizë të hapësirave publike që jepen për këtë qëllim dhe, për zonat kryesore urbane dhe turistike, të miratojë projekte-koncept për përdorimin dhe trajtimin estetik të tyre, me synim ruajtjen e identitetit dhe harmonisë urbane. Në mungesë të analizës ose projekteve-koncept, lejet për shfrytëzim duhet të miratohen mbi bazën e kritereve të përcaktuara në këtë rregullore, duke garantuar akses publik, siguri dhe respektim të standardeve estetike dhe mjedisore.

Neni 17

Pajisjet e lejuara, format, materialet dhe ngjyrat

1.Lejohet vetëm përdorimi i pajisjeve të përcaktuara në lejen për shfrytëzimin e hapësirës publike. Format, materialet dhe ngjyrat propozohen nga subjektet, në përputhje me projektin e mobilimit urban të miratuar nga bashkia për zonën përkatëse.

2.Në zona me rëndësi të veçantë social-kulturore ose ekonomiko-administrative, ku synohet ruajtja e një estetike urbane uniforme, formati, materialet dhe ngjyrat e pajisjeve mund të përcaktohen me urdhër ose vendim të autoriteteve vendore.

3.Pajisje të tjera, si tenda me strehë, tenda diellore ose struktura me bimësi kacavjerrëse, lejohen vetëm nëse janë parashikuar në një projekt publik specifik të mobilimit urban të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Në zonat me rëndësi historike ose të mbrojtura, miratimi jepet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit / DRKK; në hapësirat bregdetare nga Ministria e Mjedisit / KMST; ndërsa për projektet madhore urbane dhe kombëtare, nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU). Përdorimi i këtyre pajisjeve kryhet gjithmonë në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektin e miratuar.”

1.Ndalohen në mënyrë kategorike:

a)vendosja e barrierave erëpritëse, vazove ose elementëve të tjerë që krijojnë barriera fizike;

b)vendosja e pedanave dhe tapeteve mbi hapësirat publike të gjelbëruara;

c)vendosja e pedanave dhe tapeteve në hapësira publike të investuara ose të rikonstruktuara.

ç)Vendosja në fasadat e objekteve ku ushtrohet aktiviteti tregtar i elementeve/ pajisjeve/ tubat e aspirimit, por duhet të jenë të integruara në hapësirat e brendshme të objektit dhe në lartësi të pranueshme mbi tarracat e objektit;

d)Skarat/ hejet elektrike apo me qymyr që nxirren në trotuare që nuk kanë sistemin e aspirimit si më sipër;

1.Përjashtimisht, pedanat dhe tapetet lejohen vetëm në hapësira publike të degraduara, të cilat përcaktohen me vendimmarrje të bashkisë, kur mungojnë investimet publike ose private.

2.Materialet dhe ngjyrat e pajisjeve duhet të përshtaten me projektin publik nëse ka një të tillë, ose me rekomandimet estetike të Bashkisë.

Neni 18

Masa e shfrytëzimit të hapësirës publike dhe distancat

1.Masa maksimale e lejuar për shfrytëzimin e hapësirës publike përcaktohet sipas llojit të hapësirës si më poshtë:

a)Trotuaret: Deri në 25% të gjerësisë së trotuarit, duke garantuar një hapësirë të lirë, pa pengesa, me një gjerësi minimale prej 200 cm për lëvizjen e lirë të këmbësorëve.

b)Sheshet: Deri në 25% të thellësisë së sheshit, por jo më shumë se 10 (dhjetë) m thellësi frontazhi, paralel me fasadën e objektit dhe duke garantuar një hapësirë me gjerësi minimale prej 200 cm për lëvizjen e lirë të këmbësorëve. “Në çdo rast nuk lejohet bllokimi i korridoreve të qarkullimit ose i hyrjeve publike/ objekteve emergjente”.

Në çdo rast subjektet janë të detyruara të marrin parasysh pengesat ekzistuese në terren (gropa pemësh, bordure) dhe elementë të tjerë urbanë ekzistues.

Përjashtim: Në rastet kur ekziston një projekt specifik dhe i miratuar nga autoritetet, respektohen kushtet dhe distancat e përcaktuara në atë projekt.

Neni 19

Dokumentacioni dhe procedura e aplikimit për leje

1.Subjekti që kërkon të shfrytëzojë hapësirën publike në funksion të zhvillimit të aktiviteteve gastronomike dhe/ose rekreative duhet të pajiset me lejen përkatëse, e cila lëshohet nga struktura përgjegjëse në Bashki, sipas procedurës së përcaktuar në këtë nen.

2.Subjekti dorëzon në seksionin përkatës të portalit e-Albania:

a)Kërkesë për aplikim të plotësuar sipas formularit tip;

b)Genplan (duhet të pasqyrojë gjendjen ekzituese dhe atë të propozuar, i pajisur me legjendën përkatëse, i pasuruar me elementet dhe kontekstin urban), planimetri ose skica të punuara, të firmosura e vulosura nga profesionist i licencuar në këtë fushë dhe duhet t’ju përmbahen me rigorozitet parametrave të vendosura në këtë rregullore. Skicat e punuara përfshijnë të paktën ilustrimet e projektit të propozuar si më poshtë:

Planimetri; pamje; prerje (të vulosura nga projektues i licencuar, shoqëruar me licencën dhe deklaratën e përgjegjësisë profesionale);

c)Foto të gjendjes ekzistuese në të gjitha orientimet ku të jetë i qartë konteksti urban;

d)Rendera të punuara, firmosura e vulosura nga profesionist i licencuar në këtë fushë, që të pasqyrojnë veçmas dhe në mënyrë të qartë pamjet ballore, pamjet anësore dhe për njësitë e mbyllura edhe një pamje të brendshme. Renderat duhet të pasurohen me specifikimet e materialeve të përdorura dhe në të gjitha renderat duhet të jenë të shënuar data e kryerjes së tyre.

e)Dokument që provon pronësinë apo qiranë e objektit ku ushtrohet aktiviteti ekonomik.

Për aktivitetet ekonomike me natyrë të vazhdueshme, është e detyrueshme paraqitja e NIPT-it dhe dokumentacionit fiskal përkatës.

f)Dokumentin e identifikimit të subjektit (NIPT) dhe vërtetimin e regjistrimit tatimor,

g)Struktura përgjegjëse kryen vlerësimin paraprak brenda 7 ditëve për plotësinë e dokumentacionit dhe njofton subjektin për çdo mungesë. Struktura përgjegjëse duhet të sigurojë vlerësim të paanshëm të aplikimeve, duke shmangur çdo konflikt interesi.

1.Shqyrtimi i aplikimit dhe vendimmarrja përfundimtare realizohet brenda 15 ditëve kalendarike nga momenti i dorëzimit të dokumentacionit të plotë. Pas miratimit të aplikimit   Bashkia lëshon faturën ose dokumentin zyrtar për pagesën e tarifës, në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi.

2.Në rastet kur parashikohet vendosja e karrigeve, subjekti është i detyruar të mbjellë një pemë për çdo karrige të vendosur. Leja konsiderohet e vlefshme vetëm pas dokumentimit zyrtar të mbjelljes së pemëve dhe përmbushjes së plotë të detyrimeve tatimore dhe financiare përkatëse.

3.Leja për shfrytëzimin e hapësirës publike, së bashku me genplanin/planimetrinë, afishohet nga subjekti në një vend të dukshëm në ambientet e aktivitetit.

Neni 20

Afati i lejes

1.Afati i lejes për shfrytëzimin e hapësirave publike për aktivitete gastronomike dhe/ose rekreative është 2 (dy) vjeçar.

2.Me kërkesë të vetë subjektit kjo leje mund të lëshohet edhe për periudha sezonale, por në çdo rast jo më pak se 3 muaj.

3.Afati i lejes mund të rinovohet. Kërkesa për rinovimin e lejes depozitohet të paktën 45 ditë para përfundimit të lejes në fuqi. Rinovimi i lejes nuk është automatik, por varet nga verifikimi i përmbushjes së kushteve të lejes së mëparshme, shlyerjes së detyrimeve tatimore dhe moskryerjes së shkeljeve të kësaj rregulloreje.

Leja mund të pezullohet ose të revokohet edhe para afatit të saj, në rast shkeljesh të kushteve të përcaktuara në këtë rregullore ose në legjislacionin sektorial.

4.Nëse nuk parashikohet ndryshe në këtë rregullore, afati i lejes mund të jepet për aq kohë sa zgjat aktiviteti.

5.Subjekti ka të drejtë të heqë dorë vullnetarisht nga leja për shfrytëzimin e hapësirave publike. Në këtë rast, dorëzimi i një njoftimi të shkruar pranë autoritetit kompetent është i detyrueshëm, duke specifikuar datën nga e cila leja konsiderohet e pavlefshme.

Neni 21

Lejet provizore

1.Për aktivitete të përkohshme me natyrë kulturore, tregtare, rekreative ose festive, të cilat zgjasin deri në 30 ditë, Bashkia lëshon leje provizore.

2.Leja provizore jepet për periudhën e zhvillimit të aktivitetit dhe nuk mund të rinovohet, por mund të ri-aplikohet për raste të tjera.

3.Procedura e aplikimit për leje provizore është e thjeshtuar dhe kërkon vetëm dokumentacionin bazë (kërkesë, skicë ose planimetria, dokument identifikimi/NIPT, dhe miratimet sektoriale sipas natyrës së aktivitetit).

4.Tarifat për lejet provizore përcaktohen nga Këshilli Bashkiak në bazë ditore ose javore.

Neni 22

Ndalimi i shfrytëzimit të hapësirës publike

1.Shfrytëzimi i hapësirës publike ndalohet në rastet kur:

bëhet pengesë për shikimin e sinjalisitikës rrugore;

dëmton dhe cenon dekorin/estetikën e qytetit;

bie në kundërshtim me interesat e komunitetit;

bie në kundërshtim me distancën e sigurisë me stacionet e karburanteve e cila nuk mund të jetë më pak se 5(pesë)m distancë nga to;

në hapësirat përpara Monumenteve të Kulturës, duhet të jetë një hapësirë e konsiderueshme e cila të mos pengojë shikimin e monumentit;

në hapësirat me vlera të larta historike, me karakteristika të veçanta mund të jepet leje vetëm kur garantohet lëvizja e lirë e këmbësorëve dhe në përputhje me legjislacionin;

në kryqëzimet ku nuk ka semafor shfrytëzimi i hapësirës publike bëhet vetëm jashtë trekëndëshit të shikimit;

në një distancë 3(tre)m në afërsi të rampave apo shkallëve që përdorën për akse

Neni 23

Mirëmbajtja

Subjekti, i cili është pajisur me leje për shfrytëzimin e hapësirës publike, duhet:

të garantojë pastrimin e përditshëm të hapësirës publike të shfrytëzuar;

të kryej mirëmbajtjen periodike sipas udhëzimeve të bashkisë, të hapësirës publike brenda një rrezeje prej 5 metrash nga kufiri i hapësirës së shfrytëzueshme, në përputhje me pamjen estetike të qytetit dhe të ruajë gjendjen higjeno-sanitare;

të mirëmbajë pajisjet në efiçiencë të plotë dhe të mos vendos asnjë send tjetër, përveç atyre të miratuara në lejen për ushtrim aktiviteti (kutia ambalazhi, etj);

Çdo dëm që i shkaktohet hapësirës publike, pervec amortizimit si rezultat i kalimit të kohës apo përdorimit normal, apo qytetarëve nga aktiviteti që zhvillohet, do t’i faturohet subjektit i cili është i pajisur me leje. Dëmi ekonomik, përfshirë dëmtimin e trotuarit, pemëve apo hapësirës së gjelbër do të vlerësohet nga strukturat përkatëse të Bashkisë me akt administrativ, në përputhje me aktet e miratuara nga organet kompetente për këtë qëllim.

Neni 24

Kthimi i hapësirës publike

1.Në përfundim apo ne rast anulimi të lejes, subjekti është i detyruar t’a lirojë hapësirën publike dhe t’a kthejë atë në gjendjen fillestare, brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike. Gjendja fillestare dokumentohet me procesverbal dhe material fotografik të hartuar nga struktura përgjegjëse e Bashkisë në momentin e dhënies së lejes.

2.Në rast mospërmbushjeje të këtij detyrimi, kostot e rikthimit në gjendjen fillestare do t’i faturohen subjektit përgjegjës dhe do të ngarkohen si barrë mbi aktivitetin ekonomik që ka shfrytëzuar hapësirën, apo mbi çdo subjekt tjetër ekonomik që rezulton juridikisht i lidhur me të, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

3.Në rastet kur hapësira publike e paliruar pengon qarkullimin, aksesin publik ose cenon sigurinë, Bashkia dhe Policia Bashkiake kanë të drejtë të ndërhyjnë menjëherë për lirimin e saj, pa pritur afatin 5-ditor.

4.Subjekti është përgjegjës për çdo dëmtim të elementeve të infrastrukturës, gjelbërimit apo pajisjeve publike gjatë procesit të lirimit të hapësirës.

 

Neni 25

Detyrimet financiare

1.Dhënia e çdo leje për shfrytëzimin e hapësirës publike kushtëzohet nga pagesa e një tarife në përputhje me sipërfaqen e hapësirës publike të zënë prej tij në metra katror (m²), duke reflektuar nivelin e çmimeve reale të faturuara nga aktivitetet e ushtruara dhe mbjellja e një peme për çdo karrige që vendoset në hapësirën publike.

2.Tarifa përditësohet çdo 1 (një) vit nga Këshilli Bashkiak, në përputhje me çmimet e evidentuara në kasat fiskale të subjekteve dhe bëhet publike në zonën në të cilën subjekti zhvillon aktivitetin.

3.Për lejet afatgjata 2 (dy) – vjeçare ose më shum, tarifa fillestare përcaktohet në kontratë sipas vendimit të Këshillit Bashkiak në fuqi në momentin e dhënies së lejes.

4.Të ardhurat e siguruara nga ky tarifim destinohen ekskluzivisht për investime në infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike në përputhje me vendimet e buxhetit të miratuara nga Këshilli Bashkiak

Neni 26

Masat ndëshkuese

1.Në rastet kur organet inspektuese konstatojnë shkelje tё kushteve tё përcaktuara në lejen për shfrytëzimin e hapësirës publike, ndaj subjektit do të merren masat ndëshkuese, si mё poshtë:

Paralajmërim në vend (proces-verbal) me afat korrigjimi nga 2 (dy) deri në 5 (pesë) ditë;

Në rast moskorrigjimi, subjekti gjobitet jo më pak se 35.000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për metër katror, në varësi të sipërfaqes së shfrytëzuar dhe natyrës së shkeljes, dhe pajisjet e vendosura në kundërshtim me lejen sekuestrohen me akt administrativ.

Aktiviteti pezullohet deri në korrigjimin e plotë të shkeljes, por jo më shumë se 45 (dyzet e pesë) ditë nga data e pezullimit.

Nëse subjekti nuk ka korrigjuar shkeljen pas afatit maksimal të pezullimit, leja e shfrytëzimit të hapësirës publike revokohet automatikisht dhe subjekti nuk mund të riaplikojë për një periudhë 2 (dy) vjeçare, për të gjitha hapësirat publike të administruara nga Bashkia.

Vendimi për pezullim ose anulim e lejes është i ankimueshëm në përputhje me legjislacionin për procedurat administrative.

Në kuptim tё pikës 1 të këtij neni, do të konsiderohen shkelje:

Ushtrimi i aktivitetit në një hapësirë më të madhe se ajo e përcaktuar në leje;

Instalimi i pajisjeve pa leje;

Mosmirëmbajtja e pajisjeve, kur kjo dëmton/cenon estetike e qytetit ose përbën rrezik për jetën e qytetarëve;

Mosmbajtja pastër e hapësirës së shfrytezuar;

Mosshlyerja e tarifës së shfrytëzimit brenda afateve;

Prishja e qetësisë publike ose sjellja e padenjë;

Vazhdimi i aktivitetit edhe pas mbarimit tё afatit tё përcaktuar në leje apo pas anulimit të saj;

Shfrytëzimi i hapësirës për aktivitet tjetër nga ai i lejuar;

Vendosja e barrierave që pengojnë qarkullimin dhe aksesin publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks