Një shumë e madhe parash është vjedhur në banesën e një ish-mjekeje në lagjen “Ura Dervishbeg” në Shkodër. Çifti, pronarët e shtëpisë, kanë denoncuar ngjarjen në polici këtë të mërkurë, duke raportuar se paratë janë zhdukur gjatë kohës që ata nuk ndodheshin në banesë.
Shuma e vjedhur dyshohet të jetë të paktën 100 mijë euro, të cilat ruheshin në një dollap në dhomën e gjumit. Autori, i maskuar, është afruar në banesë me biçikletë dhe është larguar po me të. Ai ka hyrë në shtëpi duke përdorur një çelës dhe, pa asnjë shenjë thyerjeje, ka marrë shumën e konsiderueshme të parave.
Bazuar në mënyrën e kryerjes së vjedhjes, hetuesit dyshojnë se autori mund të jetë një person i njohur për familjen, pasi ka pasur informacion të detajuar mbi vendndodhjen e parave. Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e tij.