Një ditë pas ekzekutimit të 20 vjecarit Paulin Preka në Guci të Re të njësisë administrative Rrethina të bashkisë Shkodër, policia ende nuk ka autor të dyshuar dhe as një pistë mbi motivet e këtij krimi. Afro 20 persona, miq, fqinj, familjarë dhe të njohur të tjerë të viktimës janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje mbi ngjarjen dhe nëse kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm që i riu mund të ketë patur. Preka jetonte mes fshatit Guci e Re dhe Dukagjinit me babain dhe të vëllain, ku sipas dëshmive të familjarëve në zonën e thellë malore janë marrë me bagëti. Ai kishte vetëm 4 ditë që ishte kthyer në shtëpinë e tij në fshat, ndërsa mbeten të paqarta motivet e kësaj vrasje të ndodhur në oborrin e banesës. 6 plumba me armë zjarri pistoletë janë qëlluar ndaj 20 vjecarit, nga një distancë fare e afërt duke e lënë të vdekur në vend. Grupi hetimor ka dyshime se vrasja është kryer nga persona që e kanë njohur viktimën, duke ju referuar faktit se ata kanë zgjedhur oborrin e shtëpisë për ta kryer krimin, në një kohë kur ajo është e rrethuar nga banesa të të afërmve dhe fqinjve. Fakt që sipas tyre tregon se autori apo autorët kanë njohur mirë territorin, duke arritur të largohen pa rënë në sy pas ekzekutimit të të riut. Zona nuk ka kamera sigurie dhe për grupin hetimor kjo e vështirëson punën për zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar gëzhojat dhe janë marrë gjurmët e lëvizjeve në perimetrin përreth. Ishte xhaxhai i viktimës që zbuloi vrasjen, pasi nipi nuk i përgjigjej në telefon. Ai ushqehej tek familja e xhaxhait, shtëpia e të cilit ndodhet aty pranë dhe kur nuk ka arritur të lidhet me të në telefon, ka shkuar tek banesa me mendimin se i riu ndodhej në gjumë, por e ka parë të pajetë në oborr. Menjëherë ka telefonuar policinë ndërsa efektivët nisën hetimet. Në dëshmitë e tyre të afërmit dhe fqinjët kanë treguar se nuk janë dëgjuar krisma, duke ngritur dyshime se vrasja mund të jetë kryer me pistoletë me silenciator.






