Ende mbetet mister motivi i vendosjes së tritolit në Shkodër, ngjarje në të cilën humbi jetën 67-vjeçari Hysni Ymeri. Gerti Bushati është personi që akuzohet si autor i vendosjes së lëndës shpërthyese në boksin e sahatëve të energjisë elektrike. Bushati është identifikuar përmes pamjeve të një kamere sigurie të instaluar në një biznes pranë pallatit, ku shihet se mbrëmjen e datës 27 dhjetor vendos lëndën shpërthyese në sahatin elektrik të katit të parë të pallatit.
Lënda shpërthyese është aktivizuar dy ditë më vonë, më 29 dhjetor 2025, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 67-vjeçarit. Shpërthimi ka ndodhur në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej shkallët e pallatit për të hyrë në banesë. Pas hetimeve dhe analizimit të disa kamerave të tjera të sigurisë, është mësuar itinerari i lëvizjes së autorëve, çka ka çuar në arrestimin e katër personave: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi. Policia nuk e ka zbuluar ende motivin e porositjes së ekzekutimit të 67-vjeçarit. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 28 telefona celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike (kokainë), pajisje GPS, kamera sigurie dhe rroba të përdorura nga autori i dyshuar.
Pak ditë para ekzekutimit të Hysni Ymerit, në Shkodër kishte ardhur edhe djali i tij, i cili jeton jashtë Shqipërisë. Alban Ymeri i ka deklaruar policisë se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.
Gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Shkodrës, të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin deklarime. Burime pranë policisë dhe grupit hetimor bëjnë me dije se të ndaluarit, përveç marrjes në pyetje, janë lënë së bashku në një ambient të monitoruar, me qëllim zbardhjen e identitetit të porositësit të tritolit, i cili deri tani mbetet ende mister. Të arrestuarit pritet të njihen me masën e sigurisë gjatë ditës së hënë.






