Në fshatin Çubrel të Skenderajt, një aksident trafiku me pasoja fatale ka marrë jetën e tre personave civilë dhe ka lënë të lënduar pesë të tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë. Sipas njoftimit nga autoritetet e sigurisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:40 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, ku janë përfshirë dy automjete, njëra prej të cilave ishte makinë zyrtare e policisë.
“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara, kanë humbur jetën tre persona civilë, ndërsa pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë,” thuhet në njoftimin e policisë, raportojnë mediet e Kosovës.
Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer hetimet e nevojshme. Hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor janë duke u marrë me zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Lidhur me rastin janë njoftuar Institucioni i Policisë së Kosovës (IPK) dhe Prokurori kompetent, të cilët pritet të marrin pjesë në hetimet e mëtejshme. Hetimet janë në vazhdim.