Drejtuesit demokrat, i deleguari politik Luciano Boci, deputetja Greta Bardeli, anëtari kryesisë Bardh Spahia dhe kryetarja e degës Eliona Shkreli kanë zhvilluar një takim me anëtarët e grupseksionit 4 dhe mbështetësit e PD-së në lagjet Perash, Tepe, Daracin, Ajasem, Vekshar, Lukocemë dhe Pazar. Në fokus të diskutimeve kanë qenë arritjet e deritanishme, sfidat e përballuara dhe angazhimet për të ardhmen.
Në vijim të angazhimeve për zgjedhjet e ardhshme, deputetja Bardeli e cilësoi 11 Majin si një moment vendimtar për rikthimin e shpresës dhe ndalimin e keqqeverisjes në vend. Ajo theksoi rëndësinë e organizimit dhe mobilizimit në çdo cep të komunitetit për të siguruar fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare.
Deputetja demokrate i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 8 Shkurtit, duke e cilësuar atë si një moment kyç në betejën për drejtësi dhe demokraci. Sipas saj, kjo protestë është zëri i çdo qytetari që kërkon ndryshim.
Një tjetër çështje e ngritur nga Bardeli ishte vota e diasporës, të cilën e cilësoi thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo u shpreh se është e domosdoshme që asnjë shqiptar të mos përjashtohet nga procesi vendimmarrës dhe se PD-ja do të vijojë përpjekjet për të siguruar respektimin e të drejtës së votës për bashkatdhetarët jashtë vendit.