Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se, aksi Milot-Balldren do të hapet si një koncesion, si një nga lotet e Korridorit Blu dhe gara do të hapet brenda vitit.

Në një replikë me deputetin e Partisë demokratike Ramadan Lika, Balluku foli edhe për tunelin e Llogorasë.

“Z. Lika shumë faleminderit që ma dhatë mundësinë që të flasë për Shkodrën dhe për investimet në veri, por para së gjithave do të merrem pak me shqetësimin tuaj për tunelin e Llogorasë dhe më pëlqen shumë që një deputet ti Malësisë së Madhe shqetësohet për tunelin e Llogorasë”, tha Balluku.

Zv/kryeministrja u shpreh se, “qytetarët ishin njoftuar që tuneli do të hapej për sezonin turistik dhe do të mbyllej më 1 tetor për të përfunduar disa detaje teknike, por shtoi ajo nuk qe e mundur të mbyllej më 1 tetor sepse kishte akoma shumë trafik dhe u mbyll në 1 nëntor.”

“Ju bëj me dije që ne e kemi njoftuar që do të hapet për sezonin pasi, 11 milionë turistë, sigurisht që duhet të kishin akses në jug, ndaj e hapëm tunelin e Llogorasë duke i njoftuar të gjithë shqiptarët që nga 1 tetori do të rimbyllej për të mbaruar detajet teknike, por nuk e mbyllëm dot më 1 tetor, sepse kishte shumë trafik akoma, ndaj e mbyllëm më 1 nëntor dhe do të hapet në prill”, tha Balluku.

“Kështu që rrini i qetë se tuneli i Llogorasë është i gatshëm për t’u hapur për sezonin tjetër, por siç ju thashë e hapëm këtë sezon për të lehtësuar udhëtimin për 11 milionë turistë”, tha Balluku.

Sa i përket rrugës Milot-Balldren, Balluku sqaroi deputetët se, “në vitet e mëparshme ka qenë e listuar në buxhet, pasi bëhej fjalë një instrument, që ishte instrumenti i PPP-së, ashtu siç ka qenë edhe Orikum-Dukat, apo siç ishte dhe Thumanë-Kashar në fillimet e tij. Kini parasysh që gjatë vitit 2021 për shkak të vështirësive post-pandemike që u krijuan për financimin nga bankat, kjo procedurë u anulua nga MIE dhe qëndroi në buxhet edhe në vitin 2022.

Ndërkohë që sot, shtoi Balluku, “nuk e gjeni në listë pasi është kthyer në një instrument tjetër që është koncesioni. Koncesioni i cili nuk do të ketë efekte financiare në 3 vitet e ardhshme. Buxheti parashikon, pra efektet financiare të vitit 2025, 2026 dhe 2027, duke qenë se është një garë koncesionare, e cila hapet brenda këtij viti, garë ndërkombëtare, nuk i ka efektet në buxhetin e vitit 2025 dhe në atë afatmesëm”.

Balluku nënvizoi se, “Milot-Balldreni do të hapet si një koncesion, si një nga lotet e Korridorit Blu dhe do të hapet brenda këtij viti”.

Sa i përket investimeve, Balluku u ndal në disa investime tek furnizimi me ujë të pijshëm në fshatrat, Pistul, Paçram dhe Spatharë, bashkia e Vaut të Dejës. Ndërtimi i ujësjellësit të Bajzë dhe fshatrat përreth, loti i II-të, bashkia e Malësisë së Madhe që besoj ju intereson. Dhe mund të vazhdoj me shumë investime të tjera, por ajo që i intereson më shumë qarkut të Shkodrës është ndërtimi i urës së Bahçallëkut që është hyrja e Shkodrës dhe që e bashkon me të gjithë Korridorin Blu”.

Lika: Projekti për rrugën Milot-Balldren nuk figuron as në pr/buxhetin e vitit 2025

Deputeti i Partisë Demokratike, Ramadan Lika në fjalën e tij u shpreh se, projekti për rrugën Milot-Balldren nuk figuron as në pr/buxhetin e vitit 2025.

“Flitet shumë për rrugët. Çfarë rrugësh? Ka 3 vite që po në këtë foltore për pjesën e autostradës dhe në mënyrën më absolute, të paktën 2 vite më thuhet të me forcë po fillon sot po fillon nesër e vërteta është që edhe në këtë buxhet të vitit 2025 rruga nuk figuron kurrkund. Atëherë çfarë do të bëhet me ne?.

Në një kohë, shtoi ai, “që flasim për turizmin. Po çfarë turizmi. Po nëse ju thoni që Shqipëria është viti më i suksesshëm me rreth 14 milionë turistë. Ndërkohë që për fat të keq po të shohësh turizmin në vitin që po lëmë pas mbi 30% ka pasur rënie. Të gjithë shqiptarët kanë ikur në vende të ndryshëm të Evropës se nuk kanë pasur mundësi për të përballuar të bëjnë 5 ditë plazh në vendin e tyre, se nuk kanë as mundësi financiare, nuk kanë as kushte, çmimet janë rritur në një pjesë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Ai foli edhe për tunelin e Llogorasë.

“Marrim tunelin e Llogorasë që u hap për një periudhë kohe. Përsëri u mbyll. Vazhdojnë investime thotë. Sa investime do ai tunel e nderuar Zv/kryeministre dhe a shpresoni që vitin tjetër do hapet, apo do hapet sërish në kohën e sezonit dhe do mbyllet përsëri pas sezonit?”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu