Nga Eliona Shkreli

Kryetari I Ri I Bashkisë prej sot ka vendosur një standard të ri të lëvizjes në qytet për të shmangur trafiqet në rrugët kryesore, duke aplikuar një skemë të qarkullimit ku në disa akse lejohet qarkullimi vetëm në një sens drejtimi. Konkretisht, në bulevardin “Zogu i Parë”, ku lëvizja tashmë kryhet vetëm në drejtimin Parrucë – Xhabije.
Dhe në rrugën “Daut Boriçi” (Ura Dervishbeg), ku lëvizja kryhet vetëm në drejtimin: sheshi “Perash” – sheshi “Parrucë”. Si shkak I këtij standardi të ri ka ndryshuar edhe itinerari I shërbimit të transportit urban.

Pavarësisht kritikave që po bëhen në rrjetet sociale nga qytetarët shkodranë, të një skeme lëvizje e cila është aplikuar edhe në vitet e mëparshme por nuk ka funksionuar, kryebashkiaku I ri Beci, aplikon dhe standardin e vetëvendosjes, pa u konsultuar dhe pa e kaluar për miratim në Këshillin Bashkiak.
Në ligjin 139 për Vetëqeverisjen Vendore, neni 54 për “detyrat dhe kompetencat e Këshillit Bashkiak” pika k përcaktohet qartë se:

Këshilli Bashkiak “miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që I janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik”!

Qytetari I parë I Shkodrës ka filluar të marrë të gjitha kompetencat duke mos pyetur për askënd e as për interesin e qytetarëve. Një model ky I njohur rilindas, I njëjtë me kryeqeveritarin dhe kryebashkiakun tiranas, të cilët janë shembulli më I keq I arrogancës dhe mospërfilljes së hallkave të funksionimit të qeverisjes vendore.

Një lëvizje e tillë bllokuese e dy prej akseve kryesore të qytetit do sjellë mbingarkesë të akseve të tjera kryesore, ç’ka do shkaktojë kaos dhe vonesa për të mos folur pastaj për konfuzionin e qytetarëve që zgjedhin transportin urban për të lëvizur në qytet (I cili gjithashtu ka ndryshuar).

Në këtë periudhë të vitit kur vinë emigrantët dhe pastaj me ardhjen e shtatorit dhe fillimit e vitit të ri shkollor, ky standard I ri lëvizjeje pa u konsultuar me askënd (përveç stafit të Tij të ngushtë që e ka transportuar nga Tirana) do sjellë konfuzion, kaos e mbingarkesë sikurse ka ndodhur edhe më parë, ku Bashkia është detyruar të tërhiqet duke rikthyer skemën e vjetër të qarkullimit rrugor.

Kryebashkiaku I ri, I cili erdhi me premtime të mëdha dhe me dorën e hekurt të zbatimit të ligjit, në këtë fillim-mandati të Tij nuk ka sjellë asgjë të re nga ato që kanë bërë kryebashkiakët e tjerë ndër vite. Dështim në Shkodrën turistike, Shkodrën e pastër dhe Shkodrën e trotuareve të liruara.

Lëvizja me e fundit e kryetarit Beci është tregues I dështimit të Tij edhe në menaxhimin e parkingjeve, e si rrjedhojë gjen një mënyrë të pagjendur duke liruar disa akse për të ngarkuar disa të tjerë. Një kryebashkiak I importuar nga Tirana nuk mundet kurrsesi të dijë të menaxhojë një qytet të cilin nuk e njeh fare, megjithatë koha do tregojë dhe do jetë dëshmitare e dështimeve të rradhës pasi nuk po sjell asgjë ndryshe nga paraardhësit e tij të cilët I kritikoi gjatë fushatës të Tij për mënyrën se si e kanë menaxhuar qytetin ndërkohë që vetë Ai po ndjek hapat e Tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu