Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, një ditë pas dënimit me një vit burg të deputetit Salianji.

Në kërkesën e drejtuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, drejt kryeparlamentares, Elisa Spiropali, theksohet se Prokuroria po shkel Kushtetutën, duke nxituar në arrestimin e Salianjit.

Sipas PD, nuk mund të ketë arrestim apo kontroll banese të një deputeti që ende gëzon mandatin si i tillë.

“Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.

Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”, shkruan ai.

Më herët, Salianji u shfaq në selinë blu, ku u takua me Bardhin. PD e ka konsideruar dënimin e tij nga Apeli i Posaçëm si vendimmarrje politike dhe hakmarrje nga kryeministri Edi Rama për denoncimet e bëra nga demokrati për lidhjet e pushtetit dhe bandave kriminale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu