Reshjet e shiut dhe përmbytjet e dy javëve më parë në Malësi të Madhe lanë pas dëme në linjën e furnizimit me ujë të pijshëm të Lagjes Marshej dhe disa zonave të Bajzës. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Qarku Shkodër ka ndërhyrë duke bërë të mundur nivelimin e tubave të cilët nuk ishin në bazamentin e tokës për shkak të vërshimit të ujrave. Drejtori teknik i UKQ sh.a, inxhinier Lazër Pema thotë se ajo linjë e furnizimit me ujë të pijshëm ndodhej e ekspozuar ndaj agjentëve atmosferik dhe kjo ndërhyrje do të përmirësojë situatën.
Ndërkohë ajo që mbetet një shqetësim është se kanali kullues i ujrave në 90% të kësaj linje në zonën e Marshej të Malësisë së Madhe është i bllokuar nga ndërtimet e banorëve. Kjo ka bërë që dy anët e rrugës atje të kthehen në kanale nga vërshimi i ujrave duke dëmtuar asfaltin dhe tubacionet e furnizimit me ujë duke i nxjerrë në sipërfaqe. UKQ sh.a do të kërkojë edhe bashkëpunimin me bashkinë Malësi e Madhe në mënyrë që kanalet të zhbllokohen dhe kjo linjë furnizimi të mbulohet dhe nivelohet në ato pjesë ku ende ka probleme.






