Opozita kërkon ndihmën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të ndalur Partinë Socialiste. PD tha në KQZ se mazhoranca po përdor për fushatë burimet publike, përfshirë edhe ambasadat.
Franc Nuri: Ka staf diplomatik, nga niveli më i ulët deri në nivelet më të larta të ambasadave, konsullatave tona jashtë vendit që po keqpërdorin detyrat e tyre funksionale dhe janë duke u marrë me fushatë zgjedhore, me regjistrimin e emigrantëve në diasporë.
Elena Xhina: Nuk di raste të dokumentuara që mund të na jenë servirur dhe ne të shprehmi mbi to. Unë paraqes një rast të dokumentuar i publikuar në website të ndryshme ku thuhet se dega e PD në Angli jep ndihmë për regjistrimin në portalin e KQZ për të votuar më 11 maj.
Franc Nuri: Kjo vjen për shkak të vështirësisë së regjistrimit, se aktet që janë miratuar po rezultojnë se nuk janë kaq të thjeshta. Ne jemi parti në opozitë, nuk kemi asnjë burim shtetëror e asnjë burim publik, për rrjedhojë nuk kemi si të abuzojmë me këto burime publike. Pavarësisht vështirësive, numri i kërkesave për regjistrime pranë KQZ-së, po afrohet në 25 mijë. Komisioni u ka kthyer përgjigje gjysmës së tyre, duke regjistruar 7 700 vetë, e duke refuzuar 4 200 të tjerë për pasaktësi në dokumente, kryesisht në ato që provojnë adresën e zgjedhësit në emigracion.