Nga Evans Drishti
Përse Shkodra nuk e mbështet këtë kulturë?
Mbrëmë në teatrin “Migjeni”, nderi i kombit, në natën e dytë të saj u vu në skenë drama ”Vrasje në vjeshtë”, mbështetur në romanin e autorit Gjergj Vlashi. Regjia dhe dramatizimi nga Stefan Çapaliku.
Aktorët: Rafael Hoxhaj, Mehmet Xhelili dhe Xhoana Karaj
Madhështor, elektrizues, me një forcë shpërthyese që kapërcen imagjinatën, i depërtueshëm thellësisht në mendjen dhe shpirtin e spektatorit, të cilin e sheh, e vështron, e vëzhgon, me të cilin komunikon në çdo rast pareshtur, me lëvizje trupore prej një akrobati që të çmonton nga aty ku je ulur dhe të rrëmben për t’u bërë edhe ti vetë pjesë e asaj loje teatrore që s’ngelet thjesht artistike.
Ai është aty me gjithë qenien e tij, është i fuqishëm, lehtësisht i depërtueshëm, gjurmues i ethshëm i çdo situate që krijon… Gjithçka mund të vëresh brenda pak çasteve: të qarën, të qeshurën, shpërthimet emocionuese, lëvizjet misterioze dhe enigmatike, përhumbjen deri në vetmohim… Ai e përjeton çdo moment skenik, një artikulues i fortë i fjalës, që depërton deri në deje duke të rrëmbyer për t’u bërë edhe ti pjesë e tij…
Kjo ishte magjia që përcolli njëri nga aktorët, Rafael Hoxhaj, këto dy netë në atë dramatizim.
Por,
spektatori ishte shumë i pakët.
Është thënë gjithnjë që Shkodra ka qenë djepi i kulturës dhe i traditës shqiptare. Përse vallë, në të tilla raste nuk ka një interesim të madh të spektatorit? Përse Shkodra nuk e mbështet një art të tillë?
Jemi të gjithë të vetëdijshëm që këta artistë të rinj bëjnë një punë të madhe për të arritur në të tilla performanca profesionale. Mbetet gjithnjë një kënaqësi e paimagjinueshme të përjetosh të atilla emocione, kur sheh atë dramatizim që të përpin në të gjitha dimensionet. S’është e thënë të përfundosh patjetër shkencat sociale apo akademinë e arteve, që ta kuptosh atë lojë magjike aktoriale. Jo! Ne jemi qytetarë që i përkasim një qytetërimi që e ka përqafuar historikisht kulturën në të gjitha prezantimet e saj, në të gjitha gjinitë e saj.
Është e pamundur të mos emocionohesh nga një aktrim i tillë i jashtëzakonshëm i këtij aktori të ri të skenës, siç ishte Rafael Karaj, ashtu sikurse ishin padyshim edhe dy aktorët e tjerë. Ne, si spektatorë ishim në skenë, aty pranë tyre, bashkë me ta. Rrugëtuam me ta në ato minuta. Por salla e teatrit ”Migjeni” duhej të ishte e mbushur. Pasi të tillë aktorë janë pjesë e jona, pjesë e kësaj shoqërie, janë intelektualët e rinj që presin mbështetje nëpërmjet duartrokitjeve të spektatorit.
Faleminderit aktorë të mrekullueshëm për emocionet që dhuruat!
Faleminderit për vlerat që përcillni!