Hovi i çmimeve të kripura të pronave nuk do të ndalet, sidomos pas referencave të reja që Ministria e Financave ka bërë publike.
Ministria e Financave ka nxjerrë në konsultim publik bashkë me vendimin për rivlerësimin e pasurive të paluajtëshme edhe metodologjinë e përllogaritjes së taksës. Metodologjia në fjalë është e bashkëshoqëruar me hartat përkatëse. Në to janë çmimet e reja mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për banesat në të gjithë qarqet e vendit të përafruara me çmimeve reale të tregut.
Kështu për qarkun Berat çmimet variojnë nga 26 mijë lekë të reja për metër katror në Skrapar deri në 50 mijë lekë në qytetin e Beratit.
Për qarkun Dibër nga 40 mijë lekë për metër katrot në Klos deri në 52 mijë lekë për metër në Peshkopi.
Për qarkun Durrës nga 43 mijë lekë për meter në qytetin e Shijakut në 200 mijë lekë për metër në zonën 13 të qytetit Durrës.
Për Qarkun Elbasan nga 40 mijën në Belsh deri në 60 mijë lekë për metër në qytetin Elbasan.
Për Qarkun Fier nga 32 mijë lekë për metër në Patos në 62 mijë lekë për metër në zonën e parë të qytetit Fier.
Për qarkun Gjirokastër nga 17 mijë lekë për metër në Memaliaj në 63 mijë lekë për metër në zonën 2 të qytetit Gjirokastër.
Për qarkun Korçë nga 23 mijë lekë për metër në Leskovik në 70 mijë lekë për metër në zonën e parë të qytetit Korçë.
Për qarkun Kukës nga 32 mijë lekë në qytetin Bajram Curri në 58 mijë lekë në Kukës.
Për qarkun Lezhë nga 36 mijë lekë për metër në Milot në 70 mijë lekë për metër në Shëngjin.
Për qarkun Shkodër nga 10 mijë lekë në Fushë Arrëz në 75 mijë lekë në zonat 4 dhe 6 të qytetit Shkodër.
Për qarkun Vlorë nga 31 mijë lekë në Finiq në 200 mijë lekë në zonën 7 të Vlorës, që korespondon me ishullin e Sazanit.
Ndërkohë në qarkun Tiranë çmimet më të larta janë në Kavajë e Kamëz deri në 75 mijë lekë për metër katror, ndërsa cmimet referencë brenda qytetit të Tiranës shkojnë deri 228 mijë lekë në njësinë nr 5.
Sipas metodologjisë çmimeve mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar.
Ata janë të kategorizuara në lloje pasurie si: ndërtesë, shtëpi, apartament, garazh, bodrum dhe njësi tregtare.
Çmimi për metër katror për njësitë tregtare, të shërbimit ose të prodhimit brenda ndërtesave është 1.5 (një pikë pesë) here më i lartë se çmimi referues i zonës së vlerës ku ato ndodhen, ndërsa për Tiranën kjo kategori është dy herë më e lartë.
Mbi cmimet referencë të përcaktuara nga ministria e financave Këshillat Bashkiake mund të lëvizin plus minus tridhjetë për qind.
Taksa mbi pasurinë e paluajtshme është taksa më e rëndësishme vendore dhe një nga burimet kryesore të të ardhurave vendore edhe në Shqipëri. Por të ardhurat nga kjo taksë në vendin tonë janë vetëm 0,3% e PBB-së në një kohë që rajoni e ka mesataren 0,8%. Bazuar në këtë shifër efektet e pritshme financiare për pushtetin vendor pritet të rriten ndjeshëm.