Kombëtarja e vajzave mbylli sot përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2027. Skuadra zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen zyrtare në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku do të luhet edhe sfida e nesërme, në ora 18:00.
Në prag të kësaj përballjeje, trajneri i Kombëtares, Armir Grima, dha një prononcim për fshf.org, ku foli për gjendjen e skuadrës, përgatitjet e ekipit dhe kishte edhe një thirrje për tifozët shkodranë në ndeshjen e nesërme.
Si duket skuadra një ditë para ndeshjes kundër Çekisë? – Jemi mirë. Ajo që unë shoh te vajzat si gjëja më kryesore është optimizmi dhe dëshira e tyre për ta kaluar me sukses këtë ndeshje dhe për të bërë edhe më mirë. Kur unë shoh këtë gjë te vajzat, edhe unë besoj shumë. Dhe ky besim, mendoj se do të na shpërblehet me një rezultat pozitiv nesër.
Ka disa probleme të vogla, por falë stafit mjekësor i kemi kaluar. Stafi ka punuar shumë mirë, është në shërbim të vajzave 24 orë dhe problemet që kemi pasur i kemi zgjidhur. Nuk besoj se do të kemi probleme për ndeshjen e nesërme.
Çfarë kemi përmirësuar në ekip nga dy ndeshjet e fundit me Çekinë? – E njohim më mirë Çekinë dhe e dimë çfarë kundërshtari kemi përballë. Është një kundërshtar shumë i fortë dhe i dimë vlerat e tyre. Por sot njohim më mirë edhe vlerat tona dhe shpresoj që, duke njohur më mirë aftësitë tona, nesër të jemi më mirë se sezonin e kaluar.
Ftesë për tifozët për nesër – Shkodranët nuk kanë nevojë për thirrje, sepse e dinë vetë që vajzat kanë nevojë për mbështetje. Sa herë kemi luajtur këtu me ekipin kombëtar, kemi gjetur mbështetje të madhe. Jam shumë krenar për ta dhe për mbështetjen që na japin. Besoj se nesër do të jenë edhe më të shumtë në numër dhe ne nuk duam t’i zhgënjejmë. Duam t’i nxjerrim të gëzuar nga stadiumi dhe të lumtur me paraqitjen tonë në fushë.






