Kombëtarja shqiptare e femrave zhvilloi ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2027, duke u përballur në stadiumin Loro Boriçi me përfaqësuesen e Çekise. Vajzat kuqezi u mposhtën me rezultatin 1-5 në një sfidë ku, pavarësisht rezultatit final, për disa momente treguan reagim dhe lojë të mirë. Skuadra e drejtuar nga Armir Grima vinte në këtë përballje me moral të lartë, pas fitores së rëndësishme të arritur vetëm katër ditë më parë në transfertë ndaj Malit të Zi me rezultatin 1-2, në ndeshjen hapëse të grupit. Minutat e para të takimit u karakterizuan nga një lojë e balancuar, me të dyja skuadrat që kërkuan të marrin kontrollin e mesfushës dhe të krijojnë hapësira drejt portave respektive. Përfaqësuesja çeke arriti të kalojë në avantazh në minutën e 14 të takimit, duke shfrytëzuar një pasiguri në prapavijën e skuadrës shqiptare. Megjithatë reagimi i vajzave te kombetares ishte i menjëhershëm. Vetëm tre minuta më vonë, në minutën e 17, Fortesa Berisha realizoi një eurogol nga distanca, duke barazuar shifrat në 1-1. Pas golit të barazimit, Shqipëria u duk më kërkuese në lojë dhe krijoi disa mundësi të mira për të kaluar në avantazh, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Në minutën e 37, Çekia arriti të rikthejë epërsinë. Sulmuesja Kirova realizoi një goditje të saktë nga jashtë zone, duke mposhtur portieren shqiptare dhe duke çuar rezultatin në 1-2. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë e takimit. Në fraksionin e dytë të lojës, skuadra shqiptare hasi më shumë vështirësi përballë presionit dhe cilësisë së kundërshtareve. Përfaqësuesja e Çekisë arriti të shfrytëzojë më mirë hapësirat dhe të realizojë edhe tre gola të tjerë, duke vulosur përfundimisht fitoren me rezultatin 1-5. Megjithatë, për skuadrën kuqezi kjo përballje shërbeu si një test i rëndësishëm përballë një kundërshtari të fortë të grupit. Pas dy ndeshjeve të para në Grupin B1 të kualifikueseve të Botërorit 2027, Shqipëria renditet në vendin e tretë në klasifikim. Kombëtarja shqiptare do të rikthehet sërish në fushë në muajin prill, ku do të zhvillojë dy përballje të rëndësishme ndaj përfaqësueses së Uellsit.






