“Djali im është ekzekutuar në Durrës”, tha Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt pas daljes nga GJKKO ku u mor në pyetje lidhur me sekuestrimin e 34 pasurive të djalit dhe familjarëve. Seanca dështoi për shkak të mungesës së dy prokurorëve të çështjes. Mustafa Martinaj thotë se SPAK nuk do ta hetojë zhdukjen e Ervis Martianjt, por ia kanë lënë në dorë Prokurorisë së Lezhës ku edhe është bërë kallëzimi në gusht të vitit 2022 për zhdukjen e tij. Vetë ai thotë se këtë dëshmi e ka dhënë dhe përpara prokurorëve të SPAK, por këta të fundit nuk e kanë marrë çështjen për ta hetuar.
“Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës, si nga e di?! Jam babai pra! Dhe për këtë çështje kam dhënë shpjegime para shpjegimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë 2 muaj pas ngjarjes. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit”, është shprehur Mustafa Martinaj jashtë kamerave.
Mustafa Martinaj thotë se nuk është interesuar as në Prokurorinë e Lezhës për të parë se deri ku është arritur të hetohet mbi rrethanat e zhdukjes së djalit të tij, pasi nuk merren me gjërat madhore.
“Nuk kam për çfarë të interesohem. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur se më ka thirrur gjykata, jam invalid, kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore”, tha Mustafa Martinaj.
Seanca e radhës u shty pas dy javësh, teksa po vijon gjykimin mbi kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive. Të pranishëm ishin edhe dy shtetas të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve të kërkuar nga SPAK. Familjarët e Ervis Martinajt kanë kërkuar heqjen e sekuestrove për pasuritë që kapin vlerën e 10 milionë eurove, por GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tyre.
Bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj, rezulton i zhdukur që prej 8 gushtit 2022 dhe për fatin e tij nuk dihet asgjë. Për herë të fundit, Martinaj është parë në një hotel në Durrës i shoqëruar nga një vajzë./shqiptarja






