“Uria nuk duhet të përdoret si armë lufte”, tha Papa Leo të martën, duke iu referuar bllokadës së Izraelit ndaj ndihmës humanitare, ushqimit dhe ilaçeve jetësore në Rripin e Gazës që nga 2 marsi.
“Me hidhërim të thellë po dëshmojmë përdorimin çnjerëzor të urisë si armë lufte”, tha Papa në një letër që i dërgoi sesionit të 44-të të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së (FAO) në Romë, sipas Vatican News.
“Vdekja e popullatës civile nga uria është një mënyrë shumë e lirë për të zhvilluar luftë”, shtoi Leo. Duke nënvizuar se taktikat si djegia e të korrave dhe bllokimi i ndihmës humanitare rëndojnë rëndë mbi civilët e pambrojtur janë të zakonshme në konfliktet aktuale, Papa i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime dhe të vendosë kufij të qartë në mënyrë që autorët të mbahen përgjegjës.
“Krizat politike, konfliktet e armatosura dhe çrregullimet ekonomike luajnë një rol qendror në përkeqësimin e krizës ushqimore. Ato pengojnë ndihmën humanitare, dëmtojnë prodhimin bujqësor vendas dhe i privojnë njerëzit jo vetëm nga qasja në ushqim, por edhe nga e drejta për të jetuar një jetë me dinjitet dhe mundësi”, tha ai.
Papa paralajmëroi gjithashtu se burimet financiare dhe teknologjitë inovative po devijohen drejt prodhimit dhe tregtisë së armëve. “Si rezultat, po promovohen ideologji të dyshimta, ndërsa marrëdhëniet njerëzore ftohen, duke gërryer bashkimin dhe duke larguar vëllazërinë dhe miqësinë shoqërore”, tha ai.