Karabinierët italian kanë arrestuar një 30-vjeçar nga Mathi, i dyshuar për vrasjen e Fatmir Arës, 43-vjeçarit me origjine nga Shkodra, i cili u gjet i vrarë të dielën e 4 shtatorit në zonën e Vaude në San Carlo Canavese. Arrestimi, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ndodhi gjatë orëve të vona të së martës.
Autopsia zbuloi se biznesmeni shqiptar u vra me të paktën 3 plumba pushke në fytyrë. Momentalisht nuk është e qartë nëse personi i arrestuar ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë ne krim. Edhe motivi i krimit nuk dihet.
Sipërmarrësi Fatmir Ara jetonte prej vitesh në Itali, në provincën e Torinos. Ai ishte pronar i një kompanie ndërtimi dhe rezultonte i zhdukur që prej 2 Shtatorit. Karabinierët e gjetën trupin e tij të pajetë në një zonë në fushë në San Carlo Canavese, jo shumë larg vendit ku jetonte, Mathi.
43-vjeçari ishte lidhur pas një peme, ishte torturuar e në fund ishte ekzekutuar. Dyshimet janë se vrasja e tij lidhet me të shkuarën e shqiptarit, megjithatë, hetimet vijojnë.