Vijon operacioni “SIGURIA DETARE”

Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare po vijojnë intensivisht monitorimin e hapësirës detare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Nga Komani në Ksamil, si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera gjatë kësaj jave, janë kontrolluar 414 mjete lundruese, nga të cilat 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Konkretisht: 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.

11 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100 000 lekësh secili.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 28 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), si dhe 9 mjete lundruese, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese:

Mos shkelni perimetrin e sigurisë;

Lundroni vetëm në zonat e lejuara;

Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

#përsigurinëepushuesve
#zbatorregullatelundrimit
#mosshkelperimetrinesigurisë
#denoncone112çdoshkelje

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu