Ka dalë “nul” aksioni i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, për arrestimin në muajin Prill 2022 të Ervis Zikës, që shërbente si drejtor i Burgut të Reçit në Shkodër.

Prokuroria e Shkodrës ka pushuar dosjen penale ndaj Ervis Zekës, duke e cilësuar ndërhyrjen për arrestimin e tij në krye të detyrës, si të pabazuar në prova dhe ligj.

Çështja e ngritur me shumë urgjencë dhe nxitimthi nga ministria e Drejtësisë, me pretendimet se në burgun e Reçit ishte vjedhur 150 litra naftë dhe se drejtori i burgut të Reçit Ervis Zika, fuste sende të palejuara në qelitë e të dënuarve, tashmë është mbyllur. Prokuroria e Shkodrës ka verifikuar se sasia prej 150 litra naftë e marë nga Ervis Zika përmes tollonave në një subjekt privat, është hedhur në makinën private te tij.

Kjo situatë ka ndodhur pasi makina shtetërore e përdorur nga Drejtori Burgut të Reçit, ka pasur difekt teknik dhe për dy javë Ervis Zika, është detyruar të kryejë funksionet e detyrës së tij, me makinën private.

Ky fakt ka shërbyer në muajin prill per arrestimin e menjehershem te Zikes, që kishte vetëm 1 muaj e gjysëm në detyrë.

Ndërkohë vetëm pak orë pas arrestimit të tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, urdhëroi komandimin e Drejtorit të ri të këtij burgu, Seit Vuçaj.

Gjatë hetimeve të kryera dhe marrjes në pyetje, Zika në asnjë moment nuk ka pranuar akuzat, duke pohuar se kishte qënë vetë ai që kishte denoncuar vjedhjen e karburantit në burgun e Reçit.

Në kallëzimin që Zika kishte paraqitur në prokurori para se të arrestohej, pretendonte një dëm financiar që lidhet me mungesën e 40 mijë litrave naftë në burgun e Reçit.

Kjo sasi është konsumuar në rrethana të mistershme, pasi burgu i Reçit nuk ka kryer aq shumë shërbime, për të konsumuar sasinë prej 40 mijë litra naftë. Dyshimet janë se karburanti është vjedhur dhe më pas shitur në treg. Kallezimi ishte depozituar nga drejtori i komanduar Zika i cili vetëm pak ditë më pas u arrestua nga policia e burgjeve.

Ndërsa personat e kallëzuar në prokurorinë e Shkodrës, janë individë të tjerë të administratës dhe ish-drejtori i burgut të Reçit, për të cilët prokuroria e Shkodrës vijon të kryejë hetime.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu