Dëbora e parë për 2024-en ka zbardhur aksin rrugor Bogë – Theth. Për shkak të frekuentimit të lartë që kanë në këtë periudhë të vitit zonat malore të qarkut Shkodër, mjetet borëpastruese të firmave të kontraktuara ndodhen në terren, me qëllim mbajtjen hapur të tyre. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar mjetet borëpastruese janë në terren duke bërë pastrimin e trupit të rrugës nga dëbora. Ndërsa në këtë zonë temperaturat janë 3 gradë celcius. ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë drejt këtij segmenti me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore. Ndërkohë që në akset Hani i Hotit – Tamarë dhe Tamarë – Vermosh vijojnë reshjet e shiut ku po punohet për lirimin e rrugëve nga gurët e rënë dhe inertet për të garantuar qarkullimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Në këto akse rrugore prej fillimit të dimrit është punuar për t’i mbajtur të hapura duke marrë parasysh numrin e banorëve që jetojnë atje, por edhe zhvillimin e turizmit malor, një prioritet tashmë i shpallur nga qeveria për Alpet Shqiptare. Ndërkohë moti i keq me reshje që ka shoqëruar Shkodrën gjatë natës ka krijuar rrëshqitje dherash në aksin rrugor Drisht – Kalaja e Drishtit në Njësinë Administrative Postribë. Bashkia Shkodër ka ndërhyrë me mjetet e saj për zhbllokimin e rrugës. Ky segment rrugor është i hapur për të gjitha mjetet.






