Në 4 vjetorin e hapjes së saj, biblioteka “Zoja e Shkodrës” e vendosur në famullinë me të njëjtin emër, pranë katedrales së qytetit, është zgjeruar me ambjente të reja. E pasuruar me libra të rinj, kjo bibliotekë po ecën në rrugën e atyre të hershme që ka patur kleri katolik në Shkodër, si biblioteka e Jezuitëve (1858) e Françeskanëve,(1875) por edhe nji bibliotekë plotësuese e bibliotekave të sotme “At’Gjergj Fishta” të françeskanëve, e Seminarit të Jezuitëve, etj. Drejtori Gjovalin Çuni flet për punën që po bëhet ditë pas dite për ta pasuruar me botime, por edhe për ta kthyer në një pikë referimi për qytetarët e cdo grupmoshe. “Fondi i bibliotekes eshte 5 mije njesi bibliotekare, me 3500 tituj”.
Fondi i huaj në sallën “Monsinjor Ernest Çoba” është një tjetër element plotësues i kësaj biblioteke. Biblioteka mund të vizitohet jo vetëm fizikisht por edhe përmes faqes së saj zyrtare në internet ku gjenden 2500 libra, ndërsa puna vijon për të shtuar këtë fond. E themeluar me nismën e famullitarit Dom Vlash Palaj, kjo bibliotekë u inaugura nga Imzot Angelo Massafra. Arqipeshkëv Metropolitan Shkodër-Pult, në 21 tetor 2019, ditën që Kisha përkujton “Zojën e Shkodrës”.