Me dritën e qirinjve në duar, që simbolizon fitoren e dritës mbi errësirën, jetës mbi vdekjen, besimtarët katolik në Shkodër kremtuan vigjiljen e festës së Pashkëve. Në meshën e shenjtë të udhëhequr në katedralen e “Shën Shtjefnit” nga arqipeshkëvi Giovanni Peragine, besimtarët morën lajmin e gëzueshëm. Mesazhi i Pashkës është ai i një ringjallje të shpresës për ne, kohët e vështira që po jetojmë theksoi në fjalën e tij Peragine.
Besimtarët katolik u lutën për vendet në luftë dhe ku ka trazira që Pashka të sjellë dritën e shpresës!
Pashka shënon jo vetëm një festë të rëndësishme fetare, por edhe një moment i thellë reflektimi. Kjo periudhë fton besimtarët të ndalen dhe të mendojnë për vlerat themelore të jetës: faljen, dashurinë, sakrificën dhe shpresën. Mesazhi i ngjalljes së Jezu Krishtit simbolizon mundësinë për një fillim të ri edhe pas vështirësive më të mëdha.
Pashka nuk është vetëm një traditë fetare, por një thirrje universale për rinovim shpirtëror dhe për një qasje më njerëzore ndaj jetës. Data e Pashkës llogaritet në bazë të kalendarit hënor duke ndryshuar përgjatë viteve. Një simbol i festës janë vezët e lyera me të kuqe, një nga zakonet më të përhapura që simbolizon gjakun e Krishtit dhe jetën e re. Një ndër traditat e Pashkës është bekimi i bukës apo ushqimeve në vigjilje të kësaj feste në të gjitha kishat.






