Ballina Aktualitet Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen

Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen

Besimtarët katolikë e ortodoksë festojnë sot Krishtlindjen, ditën e shënuar të lindjes së Jezu Krishtit, e cila kremtohet në gjithë botën.

Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura.

Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës. Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15).

Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes.

Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).

Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve.

Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjt, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetshmi Zot.

Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks