Kryetari i PD-së Sali Berisha i bën thirrje Ramës të japë dorëheqjen nëse nuk do që ta largojnë qytetarët e zemëruar.
Berisha thotë se publikimi i të dhënave nga hakerat e Home Land sipas të cilit Rama ka shpenzuar 19 milion euro për 127 udhëtimet me avion taksi, nxjerr në dritë një tjetër superskandal.
“Edi Rama duhet të japë menjëherë dorëheqjen e të mos presë ta dorëheqin shqiptarët e zemëruar. Të gjithë këto janë nxjerrë nga TIMS. Janë dokumente origjinale. Ia nxorri Home Land apo Erion Veliaj është problem tjetër. Nuk ka skandal më të madh se ky dhe axhenda u spostua për tu përqëndruar në këtë superskandal që tregon më së miri psikologjinë antiqytetare të këtij njeriu”
Partia Demokratike ka njoftuar 12 nëntorin si datë për protestë kombëtare.“Jam i bindur se temperature e zemërimit e zbulimeve të reja e çojnë në shkallë të papërmbajtshme. Apel për të gjithë shqiptarët të ngrihen të përmbysin një regjim që bazohet në krim, drogë, vjedhje e mashtrim” tha Berisha në konferencë për median nga selia PD paraditen e sotme.
Shqipëria po zien nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve të saj, e bizneseve të vogla, të cilët presin në ankth të madh të nesërmen, për të shkak të lukunisë së taksidarëve që është derdhur mbi ta, po zien në çdo familje shqiptare, për shkak të çmimeve të papërballueshme të produkteve bazë të jetesës. Po zien tek çdo i ri, që sheh te Edi Rama një shpresëvrasës dhe ëndërrvrasës. Po zien te çdo pensionist që qan me lotët e ftohta e mjerimit sepse nuk9 siguron kafshatën dhe nuk blen dot ilaçet me pensionin e tij. Po zien te qindra mijëra punonjës në këtë vend, që me pagën mizerabël që marrin, nuk përballojnë dot as gjysmën e muajit.
Çdo deputet, çdo anëtar dhe simpatizant i PD, është i ftuar- dhe në vlerësimin tim- i detyruar të marrë pjesë në protestën antiqeveritare, antiregjim absolutar të datës 12 nëntor.
I detyruar moralisht.
Ju e shihni rrokullimën e madhe, ju e patë se Shqipëria ka zbritur poshtë Vietnamit sa i përket shtetit ligjor. Vietnami është një shtet që drejtohet nga një parti komuniste, e megjithatë shteti ligjor është më i respektueshëm se në Shqipëri. Çka do të thotë se Vietnami ka një drejtësi më funksionale se drejtësia e kapur nga politika dhe korrupsioni në Shqipëri.
Si Vietnami dhe Shqipëria janë vende monopartiake, por i vetmi shkak pse Vietnami është para nesh, se Vietnami nuk pretendon që partia komuniste nuk kontrollon drejtësinë, por Edi Rama ushtron një kontroll të pamëshirshëm mbi drejtësinë.
Ju e patë, Eurobarometri i fundit, qytetarët shqiptarë hidhnin në kosh, reformën sorosiane, e cila shndërroi drejtësinë shqiptare në degë të ekzekutivit.






