Kryetari i Partisë Demokratike, në një konferencë për mediat të shtunën, publikoi video “të kamerave regjistruese në qendrat e votimit”, të cilat, sipas tij, “faktojnë alegjitimitetin e plotë të procesit zgjedhor”.
FJALA E PLOTË
Farsa elektorale primitive e 11 Majit përbën krimin kushtetues zgjedhor më të rëndë në historinë e pluralizmit shqiptar. Në këtë farsë, kreu i organizatës kriminale, Edvin Kristaq Rama, armik i egër i pluralizmit politik, kryepadrino dhe ndërtues i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, për të siguruar karrigen e tij të krimit, i tmerruar nga krimet që ka kryer, nën mbrojtjen e Altin Troplinit, ushtroi në këto zgjedhje të gjitha format e dhunimit të ligjit.
E vërteta është për çdo shqiptar se vota e qytetarëve shqiptarë vdiq, në sensin si votë e lirë, pa rënë në kuti. Votën e vdiqën pa rënë në kuti përdorimi i 76 milionë eurove si dhuratë për votë 100 euro për çdo pensionist, në tërësi 48 përqind e votuesve apo 760 mijë pensionistë. Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 4500 aktivitete të organizuara në periudhën e ndaluar nga ligji, përfshi edhe ditën e votimit me të famshmen Giro D’Italia, 7 milionë euro një organizate private. Votën e lirë të shqiptarëve e vdiqën pa rënë në kuti, falja dy ditë para zgjedhjeve e 200 milionë eurove. Votën e lirë të qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë në kuti 29 mijë hektarë kanabis për mbjelljen e 100 mijë rrënjë kanabis në gjithë Shqipërinë për vota. Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën pa rënë kuti dhjetëra mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe certifikata pronësie, të dhëna të gjitha për të rrëmbyer votën. Votën e shqiptarëve e vdiqën gjysmë miliardi prokurime publike dhe koncesione, që të gjitha në funksion të blerjes së votës.
Votën e qytetarëve shqiptarë e vdiqën dhjetëra mijëra punësime për votë gjatë fushatës elektorale, krim i shëmtuar ky ndaj votës dhe shtetit. Votën e vdiqën pa rënë në kuti dhjetëra mijëra punonjës të administratës, të cilët në shkelje flagrante të ligjit u shndërruan në polici politike për qytetarët shqiptarë dhe kontrollin e vullnetit të tyre. Votën e vdiqën pa hyrë në kuti kartelet e drogës dhe bandat vrastare më të rrezikshme të rajonit dhe Europës. Këto bandat mbështetën 28 deputetë të partisë së krimit dhe disa nga deputetët e tyre, Blendi Gonxhe, Arkend Balla, deputeti Drazhi, Ani Dyrmishi, Sara Mile, Besa Spaho, etj, dolën në këto zgjedhje nga më të votuarit si rezultat i terrorit kriminal që bandat, shefat e policisë, gjykatësit, prokurorët që ata kontrollonin, ushtruan mbi qytetarët dhe vullnetin e tyre.
Të gjitha këto, i gjithë ky skenar i paparë ndonjëherë në Europë pas lufte, që në shumë aspekte tejkalon skenarët e përdorur nga Putini dhe Lukashenko dhe shkon afër në njërin dimension, atë të diasporës, me Asadin e Sirisë, ndodhën nën mbrojtjen e një xhelati të votës së lirë të shqiptarëve, që quhet Altin Troplini. Altin Troplini është një armik i egër i pluralizmit, i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, pasi ai, pasi instaloi me dosjet 184 dhe 339, praktikën e mosndëshkimit të krimit elektoral, u bë de facto licencues kryesor i shumëllojshmërisë së krimeve elektorale pas atyre zgjedhjeve. Siç e dini, Altin Troplini, ndonëse mbante në xhep urdhër-arrestin për Troplinët si karteli më kryesor i drogës në Europë, ai e bëri këtë me qëllimin e vetëm që Troplinët të përmbushin misionin e tyre kriminal të dhunimit të vullnetit të qytetarëve në Durrës, dhe jo vetëm në Durrës, dhe të sjellin në parlament përfaqësuesit që i kishin caktuar së bashku me Edi Ramën.
Farsa elektorale e Edi Ramës, Altin Troplinit, Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit, Suel Çelës dhe vrasësve të tjerë, nuk do kalojë kurrë. Nuk do pranohet kurrë. Dhe sot, shqiptarët janë më të vendosur se kurrë të përballen dhëmb për dhëmb me këtë organizatë kriminale, në mënyrë që të votojnë si qytetarë të lirë.Këtu sot para jush kam sjellë disa zbulime që janë bërë përmes studimit të kamerave regjistruese në qendrat e votimit, të cilat faktojnë alegjitimitetin e plotë të procesit zgjedhor, shëmtinë e kësaj farse të paparë. Ftoj qytetarët t’i ndjekin një nga një. Unë kam zgjedhur 6 video nga 60, 600, 6000 që mund të paraqisja sot në këtë sallë. Ky është komisioner, ky tani do kontrollojë votën. Shikojeni se çfarë bën.
A e keni parë ju ndonjëherë këtë? Ky fut dorën e zezë në kuti, nxjerr votën që ka votuar qyetari, e kontrollon sepse ky e di se po zbaton porosinë e Edi Ramës dhe ka mbrojtjen e Altin Troplinit. Tani qetësohet. U zbulua se si ka votuar personi për të cilin ai është porositur. I ka marrë paratë personi, prandaj do kontrollohet nëse i meritoi paratë apo jo.
Merr fletën e votimit, tani shoku komisioner e shoqëron në dhomën e errët, pasi ai duhet të sigurohet për votën e tij. Ka kontroll më policesk dhe më të poshtër të votës se sa ky? Komisionari kriminel, pasi kreu misionin, kthehet në karrigen e detyrës. Tani këtu kemi moment tjetër. Merr dy fletë votimi. Shikojeni. Ky me dy është lule, po ka me katër. Një, dy, pra me dy fletë votimi. Është paguar dy herë. Ka marrë dyfishin. Tani, prapë Treni Bullgar këtu. Vazhdo i thotë ky tjetri këtu. Bën sikur e fsheh, tani e nxjerr përsëri jashtë. Ja! Ky sjell fletë votimi nga jashtë. Shikojeni! Pra, ai është votues profesionist. Plotëson katër fletë aty pa ID, pa asgjë. Të gjithë këta mbrohen nga Altin Troplini dhe banda e tij. Tani një, dy fletë votimi. Ky është fytyra e vërtetë e votimit të 11 Majit.
Pra, siç e shihni, kreu i organizatës kriminale Edi Rama, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, nuk u mjaftua me të gjitha aktet antikushtetuese që ndërmori para ditës së votimit, por edhe ditën e votimit ai organizoi një farsë të turpshme, fiktive, kriminale. Të gjitha këto dëshmojnë se është radha e shqiptarëve t’i dalin zot me çdo kusht dhe çdo mjet lirisë së tyre dhe votës së lirë. Edi Rama përdori çdo gjë për dhunimin e kësaj vote. Ai përdori prokurorinë e tij politike për burgosjen, persekutimin e liderëve të tre partive kryesore opozitare, vetëm e vetëm se e di se është i pashpresë dhe ligji do bjerë pa mëshirë mbi të, familjarët e tij dhe bandën e tij. E di këtë ai! Këtu ne do vazhdojmë në respekt të shqiptarëve idealistë, të shqiptarëve patriotë, të shqiptarëve të ndershëm që besojnë se e ardhmja duhet të përcaktohet nga qytetarët e lirë me vullnetin e tyre dhe se pa zgjedhje të lira, pa votën e lirë, të ardhme në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë.
Faleminderit!
PYETJE-PËRGJIGJE
Pyetje: Doktor, ju po bëni cdo ditë denoncime, dhe nëjri prej tyre ishte ditëne sotme. Ccfarë prisni të arrini me këto denoncime?
Berisha: Qëllimi kryesor im këtu është t’u faktoj shqiptarëve të gjithë farsën e 11 Majit. T’i faktoj komunitetit ndërkombëtar të gjithë përmasat e kësaj farse. Edi Rama ka ndërmarrë një fushatë të egër presioni në nivelet më të larta mbi vëzhguesit ndërkombëtarë në Shqipëri dhe drejtuesit e tyre. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me këto trupa dhe ne u dërgojmë atyre të gjitha. Edi Rama u ka shtruar një pyetje atyre: ku i keni faktet për ato që keni shkruar. Faktet që ne kemi për 5 mijë qendra votimi janë një tërkuzë e gjatë mijëra e mijëra kilometra po të rreshtohen njëra pas tjetrës. Por ne kemi gjithashtu synim të kthjellojmë shqiptarët, të qartësojmë shqiptarët, të motivojmë shqiptarët se qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira duhet të jenë beteja jonë me të gjithë potencialet.
Se tellallët, intelektualët e llumit, të lidhur me fije të panumërta me krimin e djeshëm dhe krimin e sotëm, me krimin politik të diktaturës e kam fjalën, dhe me krimin e bandave të sotme, që nga mëngjesi gjer në darkë, ku janë dhe ku nuk janë, përpiqen të përligjin farsën e Edi Ramës, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët se fajin e ka opozita, përpiqen të mashtrojnë shqiptarët se Edi Rama vodhi, por i fitoi, duke treguar moralin e kalbur të tyre.
Pra, përballë kësaj propagande të kontrolluar plotësisht nga qeveria dhe të paguar nga qeveria, ne paraqesim çdo ditë fakte dhe dokumente që dëshmojnë, u provojnë shqiptarëve se çfarë ndodhi me 11 Maj dhe në fushatën elektorale në Shqipëri.
Pra, ky është qëllimi ynë. Natyrisht e gjitha kjo është në funksion të motivimit të fuqishëm të shqiptarëve idealistë, të cilët besojnë se lufta për votën e lirë, është luftë për dinjitetin, është luftë për të ardhmen dhe janë të gatshëm për të gjitha sakrificat që t’i rikthejnë votën shqiptarëve. Kjo është përgjigja ime.
Duke u uruar një fundjavë të mbarë, të dashur qytetarë dhe qytetare, dua t’u informoj se Edi Rama, ka urdhëruar mediat që kontrollon, që i ka blerë, që i ka shndërruar në veglat e tij, të censurojnë në maksimum të vërtetat, faktet, dokumentet që paraqiten çdo ditë në këtë sallë. Ndaj dhe u bëj thirrje të ndiqni rrjetet sociale, në të cilat dora e zezë e censurës së tij nuk mund t’u pengojë për të mësuar këto të vërteta.