Policia Tiranës i ka kthyer përgjigje negative PD lidhur me protestën e 16 majit. Në shkresën që do të dorëzohet sot, policia thotë se tubimi nuk lejohet për shkak tç perimetrit të sigurisë të përcaktuar për samitin evropian.
Më 13 maj, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, Berisha njoftoi protestë kombëtare të premten, në ditën që Tirana do të mikpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian. “Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet në datën 16, në orën 17:00 në bulevardin zogu i parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi përbindëshin elektoral Edi Rama që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhje. Protesta do të jetë paqësore, nuk do të ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj, as moral”, tha Berisha.