Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ditën e sotme mori pjesë në një bashkëbisedim live me shqiptarë dhe aktivistë të diasporës në Londër.
Gjatë fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë jashtë vendit, për t’u angazhuar në zgjedhjet e ardhshme me qëllim që të mbështesin opozitën dhe të punojnë për ndryshimin e regjimit aktual, të cilin e cilëson si narkoshtet.
Berisha: Ju keni mision të luani një rol përcaktues në zgjedhjet e ardhshme, në fitoren e opozitës, arkivimit të narkoshtetit. E një shteti që nuk njeh asnjë parim përveç vjedhjes dhe frikësimit të shqiptarëve. Kjo është një diktaturë, miqtë e mi, është vendi me të burgosur politikë më shumë se Bjellorusia dhe Rusia. Në Shqipëri lider të partive kryesore opozitare janë të arrestuar. Ne, të gjithë së bashku do t’i japim Edi Ramës përgjigjen që meriton.
Berisha e cilësoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, si një diktaturë që shkel të drejtat demokratike dhe përdor taktika të frikësimit dhe korrupsionit për të ruajtur pushtetin.
Sipas Berishës, një pjesë e rëndësishme e këtij mesazhi është përkushtimi për të sensibilizuar dhe mobilizuar diasporën shqiptare.
Ai tha se një numër i madh emigrantësh shqiptarë, rreth 1.9 milionë janë larguar nga vendi, ndaj i bëri thirrje të drejtpërdrejtë që ata të votojnë dhe të kontribuojnë për “shpëtimin e Shqipërisë”.
Berisha: Vetëm në hapësirën e Shengenit para një muaji u njoftua se kanë ikur 1.9 milionë shqiptarë. Duhet t’i gjejmë kudo që janë të votojnë për vendin e tyre, për shpëtimin e Shqipërisë. Betejë me votën e lirë të shqiptarëve kudo që janë.
Në fund Berisha i bëri apel mbështetësve të opozitës që të qëndrojnë të angazhuar dhe të luftojnë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.