Bardh Spahia është emri i parë që partia demokratike e ka të zyrtarizuar për zgjedhjet e 2023-it. Pasi kaloi me sukses garën e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 Marsit, kryetari i bashkisë Shkodër rikonfirmohet nga partia demokratike si i pari kandidat, duke u përjshtuar nga primaret. Kjo për faktin se ai e ka kaluar këtë test shprehen drejtues të selisë blu. Kryesia e PD-së vendosi që përveç deputetëve dhe kryebashkiakëve në detyrë siç është Bardh Spahia në Shkodër, çdo kandidaturë tjetër do të filtrohet nga Këshilli i Kualifikimeve, që do të përbëhet nga 3-5 anëtarë të emëruar nga Kryesia e PD. Për t’u bërë pjesë e primareve, çdo garues duhet të plotësojë 6 kushte.
1) Të mos ndodhen në kushtet e pazgjedhshmërisë në një funksion publik
2) Të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike të PPSH
3) Të jenë aktiv në jetën publike duke mbrojtur kurdoherë parimet e PD
4) Të kenë dhënë kontribut në fushatat elektorale të PD
5) Të ketë kryer arsimin e lartë
6) Të mos ketë në fuqi masa disiplinore për shkelje të statutit të PD
Në rregullore përcaktohen edhe modalitetet sesi kandidatët do të zhvillojnë fushatën. Të drejtën për votim e ka çdo anëtar dhe simpatizant i PDSH. Këta të fundit, për këtë qëllim, regjistrohen brenda afateve dhe sipas modaliteteve të përcaktuara në vendimin e Kryesisë së PDSH. Konsiderohet i përzgjedhur dhe fitues ai kandidat që merr të paktën 50% +1 të votave të vlefshme.