Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka ftuar të rinjtë që të bëhen fytyra dhe mesazherët e fushatës së opozitës për të fituar zgjedhjet e 11 majit. Në konferencën “Fushata elektorale dhe komunikimi”, Berisha u kërkoi të rinjve që të përcjellin në çdo derë dhe te çdo qytetar programin elektoral të PD-së, që është për uljen e varfërisë, uljen e taksave, rritjen e rrogave dhe pensioneve, uljen e energjisë për qytetarët e bizneset, mbështetje për bizneset.

Pjesë nga fjala e Berishës

Të dyfishosh rrogat dhe pensionet, edhe ky është një akt madhështor. Ku e bazojmë ne këtë që flasim për Shqipërinë Madhështore? E bazojmë sepse ne kemi realizuar shumë momente madhështore. Por ato përsëri nuk krijonin atë që themi ne, Shqipërinë Madhështore. Jo, Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria që nuk do njohë varfëri ekstreme. Ne kemi gjetur çelësin e saj. Cili është çelësi? Ne do ua kthejmë paratë shqiptarëve. Paratë që mblidhen nga të ardhurat e tyre, një pjesë e mirë do shkojë për rroga dhe pensione. Nuk u themi ne pensionistëve që nuk do vëmë para në fondin tuaj se shembet Shqipëria.

Shqipëria shembet po t’i lësh ata në gjendje të mjerë. Ndaj ne do vendosim minimumin jetik. Nuk do ketë shqiptar që do marrë më pak se 200 euro. Do rriten pensionet. Rroga minimale do jetë 500 euro. Rroga mesatare do jetë 1200 euro.

Nuk do preket rroga maksimale sepse diferenca mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale është më e thella se në çdo vend tjetër që unë di në planet. Se kështu e bënë këta në mendësinë e tyre. Por përsëri kjo nuk është Shqipëria Madhështore. Kjo është Shqipëria jashtë dhimbjes. Shqipëria Madhështore është Made in Albania.

Do e bëjmë Shqipërinë një hotel apo një vend që prodhon kudo të mira për qytetarët e saj, që pasuritë përrallore do ua kthejë qytetarëve të vet? Shqipëria ka pasuri botërore në rezervat e saj nëntokësore. Ka një tokë ndër më pjelloret që mund të bëhet. Është një vend me më shumë ujëra se çdo vend i rajonit. Shqipërisë ia shkatërruan prodhimin. Ia shkatërruan duke vendosur standarde që nuk ekzistojnë askund në tregti. Ia shkatërruan prodhimin me narkoeuro.

Çdo javë mbyllen ndërmarrjet e eksportit për shkak të rënies së vlerës së euros me 35 përqind. Dhe çfarë euro është? Është narkoeuro! Imagjinoni ju, nga viti 2023-2024, eksportet ranë me 32 përqind. Mijëra e mijëra shqiptarë mbyllën vendet e punës dhe u detyruan të largohen jashtë vendit. A ka mundësia t’i mbrojë? Plotësisht.

Qeveria mbron kursin, kompenson kursin që droga ia uli euros dhe i kompenson eksportuesit për aq sa ka rënë euro dhe nuk humbasin qindra vende pune dhe nuk bllokohet prodhimi. Pra, Made in Albania do jetë krenari kombëtare.

Do jetë gjeneratori kryesor i punësimit tuaj. Do jetë vendi i suksesit tuaj. Startup-et tuaja do mbështeten me çdo mënyrë për suksesin e tyre. Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë. Shqipëria do ketë çmimin më të ulët të energjisë dhe do shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale. Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme të prodhimit të energjisë nga dielli, uji, era dhe gazi.

Të gjitha këto janë potenciale të ndaluara gjer sot për shkak të korrupsionit, arbitraritetit, mungesa e sistemit të drejtësisë. Ne do i rikthehemi fuqishëm në mënyrë që qytetarët shqiptarë ta blejnë energjinë sa më lirë. Do ulet energjia për bizneset, do zbresë nga 24 lekë në 6 lekë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu