Panorama e seancës plenare të parë pas zgjedhjeve, u dominua nga akuzat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, të cilat i cilëson një farsë elektorale. Në më pak se 15 minuta, Gazment Bardhi dhe kreu i PD, Sali Berisha shigjetuan kolegët socialistë për të cilët thanë se janë në shërbim të krimit.

Kërkesa e Partisë Demokratike për një orë debat jashtë rendit të ditës, nuk u pranua nga PS. I pari që nisi me akuzat ishte kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi që kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali e quajti përfaqësuese të Xhabaftëve në Kuvend.
“Ju jeni përfaqësuesja e Xhabaftëve në Kuvend”, tha Gazment Bardhi.

Fajin për humbjen e thellë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Berisha ia lë bandave kriminale, sipas të cilit të gjitha u mobilizuan në krah të PS. Sulmet nuk i kurseu për deputetin e PS, Arkend Balla, i cili ishte një prej me të votuarve në zgjedhjet e 11 majit në listën e hapur. “Deputetët e këtyre karteleve u zëvendësojnë ju në këtë parlament, jo se ju nuk ishit mëkatarë, por vetëm njëri prej tyre, Arkendi, që mori 2500 vota në vitin 2021, mori këtë vit nga Troplinët 5 mijë vota më shumë se Edi Rama. Ju mblidheni këtu pasi klanet e vrasësve, drogës, kartelet e drogës, sjellin në këtë parlament 28 deputetë në lista të mbyllura dhe të hapura. Ju mblidheni sot këtu pasi për të blerë votat me drogë, kreu juaj firmosi mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis në mbarë vendin. Ju mblidheni sot këtu në një kohë kur votën e parë të diasporës shqiptare e manipuluat në mënyrën më të egër”, tha Berisha.
E ndërsa Berishës i mbaroi koha për të folur nga foltorja e Kuvendit, shkëmbeu këto replika me Spiropalin.

Spiropali: Koha mbaroi.

Berisha: Cila kohë?

Spiropali: Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar.

I vetmi zë nga socialistët ishte ai i kreut të grupit të PS, Niko Peleshi, i cili “ngushëlloi” kolegët demokratë për humbjen, duke u kujtuar se janë në Kuvend dhe jo në cirk.

“Pas një fushate të suksesshme për të gjithë, mbi të gjitha për vendin e shqiptarët. Jemi në parlament, jo në cirk. Kemi plot arsye të kërkojmë edhe diskutime jashtë rendit të ditës se kemi shumë falenderime për shqiptarët, por nuk është ky momenti. Do të kemi disa seanca intensive deri në fund të korrikut. Të nderuar kolegë deputetë të PS, por edhe të grupeve të tjera, të punojmë me intensitet që rreth 30 akte të depozituara t’i miratojmë në këto seanca”, tha Peleshi.

Ndërsa Berisha vijoi me akuzat, Spiropali mbylli seancën plenare duke i kujtuar humbjen dëshpëruese.

“Të heq të drejtën e fjalës, s’mund të vish këtu pas humbjes tënde turpëruese dhe të tentosh të prishësh Kuvendin e Shqipërisë. Ky është rendi i ditës, keni bërë kërkesë, s’mund të flasësh, e ke mbyllur siç e ke mbyllur gjithmonë. Mbyllet seanca plenare”, tha Spiropali.

Opozita dhe mazhoranca nuk u dakordësuan as në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për kalendarin e punimeve të kuvendit, mbledhje të cilën edhe Bardhi e përdori për të fajësuar socialistët për humbjen.
Kreu i PD, Sali Berisha i vijoi akuzat për vjedhje zgjedhjesh edhe pasi doli nga Kuvendi në përfundim të seancës plenare. Ai e cilësoi parlamentin si “dyqan privat të partisë së krimit”, duke shtuar se qytetarët do të dëgjonin faktet dhe argumentet që sipas tij provojnë ‘krimin’ që ndodhi në zgjedhjet e 11 majit.

Sali Berisa foli për mediat edhe pas mbylljes së seancës plenare që zgjati vetëm pak minuta.

“Kësaj i thonë kur parlamenti shtrohet në një bodrum të mafias, nuk respekton asnjë rregull, as të rregullores, as kushtetutën dhe as ligjet, parlamenti përdoret si dyqan privat i partisë së krimit dhe ishte një seancë ndër më të turpshmet, ku pas një farse elektorale të paprecedentë në vend që qytetarët të dëgjonin të gjithë faktet, argumentet e opozitës dhe deputetëve për atë cfarë ndodhi më 11 maj, këta ia mbathin brenda disa minutave.

Ja shihni…ikin. E thashë edhe në parlament, ishte më e drejtë që në parlament të vijnë boset e karteleve se këta se ata janë të vërtetë kurse këta thjesht shërbëtorë të tyre. Megjithatë ajo që dua të garantoj shqiptarëve vendoshmërinë e palëkundur të opozitës të mbrojë kauzën e drejtë të tyre për votën e lirë. “

I pyetur për një aksion në shtator, ai tha:

“Do përcaktohet. Të gjitha format e qëndresës janë të pranueshme”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu