Pavlin Preka ishte 19 vjeç kur u vra në banesën e tij, më  26 Shkurt 2025 në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Ai ishte i dashuruar marrëzisht pas një vajze, 13-vjeç për të cilën kërkonte miratimin e familjes së saj që të martoheshin.

Emisioni “Në Shënjestër” transmetoi këtë të martë detaje nga dosja hetimore ku sipas informacioneve nga njerëzit e afërt të viktimës, gjatë kontrollit të parë në vendngjarje, në afërsi të trupit të viktimës, u gjendën 6 gëzhoja arme zjarri pistoletë model 9 mm.

Nga kqyrja e parë e vendit të ngjarjes, 19- vjeçari ishte qëlluar me disa plumbe pistolete nga afër, më të hyrë në banesën e tij.

Gjë që la të kuptohet nga ekspertët kriminalistë, se ai ishte ruajtur deri në mbërritjen e tij në banesë.

Ose dikush kishte informuar me saktësi qitësi për lëvizjet e viktimës dhe faktin që ai kishte marrë rrugën për në shtëpinë e tij.

Por për grupin hetues vrasja e këtij të riu kishte një motiv të paqartë.

Kjo për faktin se ai nuk ishte skeduar dhe nuk kishte një të shkuar apo të tashme kriminale. Madje nuk njihej në zonë as si kontingjent që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike.

I pari që u pyet në lidhje me krimin ishte xhaxhai i viktimës.

Nikollë Preka, i cili kishte banesën ngjitur me atë të vëllait të tij, ku aktualisht jetonte Pavlini.

Aty ku ndërsa dëgjoi krismat, vrapoi i pari për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Dhe ku gjeti të vrarë në pragun e derës, nipin e tij.

“Familjarët e Pavlinit jetojnë në fshatin Gjuraj-Plan, në njësinë Administrative Pult, Bashkia Shkodër. Unë e kam ngjitur banesën me atë të Pavlinit. Kur shkova për të parë se kush është në banesë, unë pashë që dera ishte hapur. Aty pashë Pavlinin të shtrirë në tokë”, ka deklaruar në polici xhaxhai i viktimës.

Nikollë Preka tha më të tej se ai si xhaxha i viktimës nuk kishte asnjë informacion se kush mund të ishin autorët e vrasjes së nipit të tij.

Por ai sigurisht që e dinte shumë mirë se kush ishin personat me të cilët shoqërohej djali i vëllait të tij.

Kjo edhe për faktin se fshati ishte i vogël dhe çdo lëvizje aty ishte e ditur.

Pikërisht një nga këta persona ishte edhe Klaudio Lisaj.

Shok i ngushtë me Pavlinin.

Të cilët shikoheshin pothuajse bashkë në fshat dhe jashtë tij në shoqërinë e njëri-tjetri.

Një përditshmëri të cilën e njihnin të gjithë.

Këtu ku fillon dhe merr rrjedhë një tjetër histori.

Aq sa e komplikuar por edhe e vështirë për të kuptuar.

Atë sesi viktimës Pavlin Preka, i kishte rënë në kokë për një vajzë disa vite më të vogël se vetja.

E cila në fakt ishte vajza e dajës së Klaudio Lisaj-t, shokut me të cilin ai shoqërohej në pothuaj çdo ditë të jetës së tij në fshat.

Pavlini i cili nuk e kishte lënë me kaq sevdanë e tij për vajzën që e kishte marrosur, por bashkë me xhaxhain e tij, Nikollën, kishin shkuar edhe t’i kërkonin dorën.

“Rreth dy vite më parë, nipi im Pavlini më tha se pëlqente një vajzë nga Pog-u dhe më kërkoi që të shkonim dhe t’i lypnim dorën. Unë pranova dhe bashkë me Pavlinin shkuam te familja e vajzës, babai i së cilës është Vasel Koçeku, ku qëndruam rreth një orë”, ka vijuar në deklaratën e tij, xhaxhai i Pavlin Prekës.

Sipas rrëfimit të xhaxhait të viktimës, babai i vajzës, të cilës ai nuk ia mban mend emrin, edhe pse i priti mirë, nuk u dha një fjalë atë ditë.

Por ai zgjodhi t’i përcjellë, duke u thënë se për mirë a për keq, do u çonte haber së shpejti nëpërmjet personave të tjerë.

Lajm që nuk vonoi të vijë, por që nuk la aspak të kënaqur kërkuesit. Të cilët nga ana e tyre prisnin një sihariq ndryshe, të gëzueshëm. Gjë që sipas xhaxhait të tij pezmatoi më së shumti vetë Pavlinin.

“Në atë kohë Pavlini ka qenë rreth 18 vjeç. Pasi u larguam ata na dërguan fjalë se nuk kishin asgjë kundra nesh si familje dhe si miq ‘por vajza është e vogël’. Për këtë arsye e mbyllëm si muhabet dhe nuk shkuam përsëri”, u shpreh në polici, Nikolin Preka.

Por ndërsa xhaxhai thotë se e mbylli këtë bisedë, kjo nuk ndodhi me Pavlinin i cili mesa duket nuk kishte ndërmend të hiqte dorë kaq kollaj nga vajza, të cilën ndjente se e dashuronte.

Ndërkohë që nga ajo sa kuptohet ai nuk i kishte thënë as babait të tij lidhur mbi faktin që dashuronte një vajzë dhe kërkonte të martohej me të. Ashtu sikurse del se nuk e kishte njoftuar as për faktin që do shkonte bashkë me xhaxhain e tij t’i kërkonte dorën. Gjë që e rrëfeu në dëshminë e tij përpara grupit hetues vetë xhaxhai i Pavlinit.

Ditën që lypëm vajzën te familja e Vasel Koçekut, unë shkova te banesa e vëllait tim në fshatin Gjuraj dhe i thashë se ishim te Koçekët për të kërkuar dorën e vajzës së tij, për Pavlinin.

Por vëllai im Pjetri më tha se Pavlini nuk i kishte treguar gjë për këtë fakt. Ndërkohë që i thashë se ëma e vajzës që Pavlini kërkon të martohet është halla e dy shokëve të tij, Klaudio dhe Flori Lisaj”, thotë në dëshminë e tij xhaxhai i viktimës.

Por edhe pse iu kërkua të hiqte dorë nga vajza që dashuronte, Pavlin Preka nga sa kuptohet, jo vetëm nuk e bëri një gjë të tillë, por kishte ndërtuar në kokë edhe plane se si ta bënte të vetën përgjithmonë.

Kjo edhe kundra dëshirës së familjes së saj.

Ndoshta me bindjen se koha do të ishte ilaçi më i mirë dhe situatat do të vinin dhe do të normalizoheshin, pasi ai ta kishte bërë fakt të kryer lidhjen e tij me vajzën.

“Më datë 26 Shkurt 2025, rreth orës 10.30, Pavlini më mori në telefon dhe më tha se do ta grabiste vajzën e Vaselit.

Unë nga ana ime i thashë ruaju, ki kujdes se ata janë fis i fortë. Por Pavlini ma preu shkurt duke më thënë se me ju nuk ka kush punë, se i rregulloj vetë punët e mia. Ndërkohë që nga ana tjetër, Pavlini më tha që të ruheshim 3-4 ditë, derisa të sqarohet situate”, thuhet në dëshminë e vëllait të Pavlin Prekës, Alfonsit.

Pra nga sa kuptohet familja e Pavlinit ishte në dijeni të plotë tashmë të planit të tij, për ta rrëmbyer vajzën.

Ndërkohë që deri në këtë moment mbetet e paqartë nëse edhe vajza ishte dakord me këtë plan apo jo?

Apo Pavlinit i kishte hipur aq keq në kokë për këtë vajzë, sa këtë nismë të rrezikshme, po e ndërrmerrte pa dijeninë dhe dëshirën e saj.

Por ajo që lihet të kuptohet nga rrëfimet e të vëllai, është se Pavlini pasi kishte shkuar për herë të parë në familjen Koçeku me xhaxhain e tij, me kalimin e muajve kishte shkur sërish për të kërkuar dorën e vajzës, këtë herë me dajën e saj.

“Ajo që dua të them është se në dijeninë time, Pavlini e ka kërkuar këtë vajzë jo vetëm kur shkoi herën e parë me xhaxhain tonë, por disa muaj më pas, kur ka shkuar me dajën e vajzës, Nikolinin, në familjen e Koçekëve.

Ku herën e dytë unë nuk e di se çfarë përgjigje i kanë dhënë”, ka thënë ai në polici.

Vëllai i viktimës që tregoi më tej se aq i marrosur ishte Pavlini, sa kishte nisur të shkruante nëpër gurë në fshat edhe emrin e vajzës, duke i shprehur asaj hapur dashurinë, pavarësisht kundërshtimit të familjes.

Gjë që me siguri nuk do ketë mbetur pa u vënë re edhe nga familja e vajzës.

Por edhe vetë fshati që tashmë ishte në dijeni të pëlqimit të vazhdueshëm të Pavlinit ndaj vajzës së Koçekëve.

Si dhe të qëndrimit të tyre kategorik për t’ja dhënë vajzën 19 vjeçarit.

Një ditë duke kaluar nga vendi i quajtur ‘Ura e Beut’, që ndodhet afër banesës së Pavlinit në fshatin Guci e Re, pashë të shkruar në asfalt ‘A***** Love’. Shprehje të cilën një shok më tha se kishte shkruajtur Pavlini”, thuhet në dosjen hetimore, referuar dëshmisë së vëllait të Pavlin Prekës.

Por aq shumë ishte fiksuar Pavlini pas kësaj vajze, sa kishte shkuar deri aty sa të bënte tatuazh edhe emrin e saj në qafë.

Gjë që e dinin edhe shokët e tij,

Midis tyre edhe kushërinjtë e vajzës, me të cilët ai shoqërohej.

“Nga ajo që unë di është se Pavlini ka dashur një vajzë, me emrin ‘A*****’, të cilës nuk ia di mbiemrin, por që Pavlini ia kishte bërë emrin tatuazh në qafë. Mesa mbaj mend, Pavlini më kishte thënë se këtë vajzë e kishte parë në Dukagjin, kjo pasi edhe familja e tij ka një shtëpi atje, por jetojnë në Shkodër. Pavlini më ka thënë gjithashtu se kësaj vajze i ka kërkuar dorën te shtëpia e saj, por nuk ia kanë dhënë. Ajo që dua të them është se një ditë bashkë me Pavlinin dhe një shokun e tij që e thërrasin Flori, por që mbiemrin nuk ia mbaj mend, ishim te një shtëpi që familja ime ka në fshatin Gimaj në Dukagjin.

Gjatë kohës që ishim aty Pavlini më tha ‘Ma lër këtë shtëpinë 2-3 ditë pasi do ta marr atë vajzën, dhe të vi të rri te shtëpia jote’. Por unë ia preva shkurt dhe i thashë që nuk ta lë”,  thuhet në dëshminë e Edilion Tërthorja.

Por çmenduria e Pavlinit, nuk kishte ndërmend të ndalej këtu.

Pasi siç thotë një nga shokët me të cilët ai shoqërohej, ai po kërkonte një banesë ku të qëndronte me vajzën, pasi ta kishte rrëmbyer. Dhe këtë plan nuk e kishte aspak sekret.

Por e shprehte edhe në prani të kushërinjve të vajzës, me të cilët ndante përditshmërinë./ news24

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu