Një murale e re e bazuar në pikturën ikonike “Motra Tone” të Kolë Idromenos ka ngjallur debate të ashpra në Shkodër dhe më gjerë. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ka promovuar muralen përmes rrjeteve sociale, por kritikët thonë se ajo paraqet ndryshime të qëllimshme krahasuar me veprën origjinale të vitit 1883.Në pikturën origjinale të mjeshtrit Idromeno, Motra Tone paraqitet me një medaljon ku në qendër ndodhet një kryq – një simbolikë e fortë kulturore dhe fetare. Në muralen e promovuar nga Beci, ky element është zhdukur, duke u zëvendësuar me një medaljon të stilit modern, çka ka ngjallur reagime të ashpra. Kritikët e konsiderojnë këtë si një akt që deformon trashëgiminë artistike të Shkodrës dhe të Shqipërisë.Artdashësit dhe qytetarët e Shkodrës e kanë cilësuar këtë ndryshim si një ndërhyrje të papranueshme në një vepër të shenjtë të kulturës shqiptare. Ata pyesin se çfarë do të ndodhte nëse dikush do të guxonte të ndryshonte detaje të veprave të mjeshtërve si Mikelanxhelo apo Monet.

Për disa, ky veprim simbolizon mungesën e respektit për historinë dhe kulturën e Shkodrës nga një kryetar bashkie që vjen nga jashtë qytetit. Ata kërkojnë reagim të menjëhershëm nga artistët dhe opinionin publik për të mbrojtur veprat origjinale të Kolë Idromenos, një prej personaliteteve më të shquara të artit shqiptar. Debati pritet të intensifikohet, ndërsa qyteti i Shkodrës, i njohur për artin dhe kulturën e tij, kërkon përgjigje mbi këtë ndërhyrje që shumë e konsiderojnë të papranueshme./ JOQ

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu