Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka reaguar ashpër ndaj ndotjes së hapësirave publike në zonën e Bahçallëkut, duke e cilësuar situatën si skandaloze. Ai bën të ditur se ndërhyrjet për pastrim janë kryer dy herë gjatë muajit janar dhe paralajmëron masa ndëshkuese ndaj ndotësve, përfshirë vendosjen e gjobave.
Statusi i Plote:
Ky është një tjetër rast skandaloz, ku hapësira publike trajtohet si kazan mbeturinash privat. Në Bahçallëk u ndërhy për pastrim, për herë të dytë gjatë muajit janar, nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike. Këta nuk janë “të pakujdesshëm”. Janë ndotës profesionistë, që jetojnë me bindjen se dikush tjetër do pastrojë pas tyre. Hedhin mbeturina sot, ankohen nesër për qytetin “e pistë” dhe e quajnë veten qytetarë. Një kujtesë e vogël: hapësira publike nuk është depo personale, dhe durimi institucional nuk është i pafund. Bashkia Shkodër ka nisur dhe do të vijojë vendosjen e gjobave. Ndotësit nuk janë fytyra e vërtetë e Shkodrës.






