Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur në janar 2026 lejen e ndërtimit për resortin turistik “Blue Borgo”, që do të zhvillohet në fshatin Baks Rrjoll, në Bashkinë Shkodër.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh në zonën ranore pranë Velipojës. Sipas dokumentacionit të planit zhvillimor, masterplani përfshin 33 struktura akomoduese dhe shërbimi me 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, një strukturë hoteli, si edhe disa struktura social-kulturore. Totali i sipërfaqes së ndërtimit mbi tokë parashikohet të jetë mbi 400 mijë metra katrorë.
Zona e projektit ndahet nga një rrugë lidhëse në një pjesë të pjerrët dhe një pjesë të sheshtë, ku është përqendruar zhvillimi kryesor i strukturave akomoduese. Sipas përshkrimit të projektit, kompleksi synon të ofrojë funksione të ndryshme turistike dhe shërbime për vizitorët.
Shoqëria zhvilluese “ABA Blue Borgo” ka regjistruar lejen e ndërtimit dhe adresën e ushtrimit të aktivitetit në Qendrën Kombëtare të Biznesit në fund të janarit 2026. Kompania rezulton e regjistruar prej disa vitesh dhe ka kryer ndryshime në strukturën e aksionerëve ndër vite.
Projekti është zhvilluar në një zonë bregdetare me interes për turizmin dhe pritet të ndikojë në ofertën akomoduese në veri të vendit.







