Ndyshimet në kodin zgjedhor të dakordësuara dhe të votuara në parlement me votat e Partisë Socilaiste dhe Demokratike u dekretuan edhe nga presidenti Bajram Begaj.
Votën e diasporës për parlamentaret e 2025-ës kreu i shtetit e cilëson si një vendim historik për politikën dhe i kërkon institucioneve përgjegjëse që mundësimi i votimit nga jashtë të përbëjë kryedetyrën e tyre.
Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi.
Për debatin e krijuar pas vendimit të PS dhe PD për të mbyllur listë në 1 të 3-ën dhe vetëm pas saj zgjedhësit mund të ushtrojnë votën parapëlqyese, presidenti vlerëson se vendimarrja është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”. Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta.
Në sqarimin e tij kreu i shtetit shkruan se nuk i takon institucionit të presidentit të japë një qëndrim për formulën e listave të kandidatëve për deputet.
Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.
Ndryshimet në kodin zgjedhor të dekretuara nga presidenti i hapin rrugës votës së diasporës dhe formulës së re të zgjedhjes së deputetëve. Pas botimit në fletoren zyrtare dhe hyrjes në fuqi të kodit elektoral të ndryshuar, do t’i takojë KQZ-së të nxjerrë të gjitha aktet normative kryesisht për votën e diasporës që përbën edhe sfidën kryesore për parlamentaret e 2025-ës.