Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar datën e mbledhjes së Parlamentit të ri të Legjislaturës së XI. Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të mblidhet të premten, më 12 shtator, ora 10:00. Në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate, Partia Demokratike dhe aleatët e saj 50 vende deputetësh, PSD 3 mandate, Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat dhe Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat.

Kujtojmë që më 11 shtator do të mblidhet Asambleja e PS, ku pritet të prezantohen edhe ministrat e qeverisë së re Rama 4.  Dekretimin e datës 12 shtator për seancën e parë të Parlamentit, që me shumë gjasë do të jetë formale, Presidenti e ka shoqëruar me një mesazh drejtuar ligjvënësve, një pjesë e mirë e të cilëve do të ulen për herë të parë në karrigen e deputetit.

Kreu i shtetit kërkon nga deputetët që të përmbushin angazhimet e tyre, ndërsa thekson se Shqipëria është në një moment historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane”, thotë Begaj. Një mesazh, Begaj e ka dhe për mazhorancën socialiste, që ka fituar mandatin e 4 radhazi për të qeverisur vendin, për të cilën thotë se duhet të jetë e përulur. Kurse opozitës, Presidenti i bën thirrje që të jetë aktive dhe konstruktive.

“Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike”

        Mesazhi i Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, me rastin e çeljes së Legjislaturës së XI-të, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

 

Të nderuar bashkëqytetarë,
Të nderuar deputetë,

 Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit do të mbahet më 12 shtator 2025, në orën 10:00, duke hapur një faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi është simbol i demokracisë, është hapësira ku ju, të nderuar deputetë, do t’i përkushtoheni përgjegjësisë dhe angazhimeve të marra, është hapësira ku duhet të dëgjohen dhe të respektohen zërat e të gjithë shqiptarëve.

Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane.

Të nderuar deputetë,

Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit tëreformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit tëvazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhembikëqyrjes së qeverisjes, respektimit tënormave kushtetuese, transparencës,diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit. Kjo legjislaturë bashkon deputetë me përvojë dhe të rinj të zgjedhur për herë të parë. Vazhdimësia dhe përvoja e kombinuar me mendësi, ide, energji dhe frymë të re është pjesë e natyrshme e proceseve demokratike. Përgjegjshmëria dhe përulësia nga mazhoranca në ushtrimin e pushtetit duhet të përplotësohet nga një opozitë aktive, konstruktive dhe e përkushtuar ndaj rolit të saj thelbësor në një demokraci. Dialogu dhe respekti për dallimet janë themel i bashkëjetesës demokratike.

Të nderuar deputetë,

Procesi ligjvënës dhe cilësia e ligjeve duhet të pasqyrojnë nevojat reale të shoqërisë sonë, sfidat e zhvillimit dhe përpjekjet për drejtësi e mundësi të barabarta. Shoqëria civile, media, bota akademike, profesionistët dhe aktorë të tjerë duhen të jenë edhe më shumë të përfshirë në këtë proces. Ata janë pjesë e së njëjtës përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë dhe më të zhvilluar.

Prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballenqytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces transformues dhe i rëndësishëmstrategjik, që kërkon reforma të thella dhe angazhim të palëkundur. Përmes punës së përditshme dhe vendimmarrjeve tuaja duhet të përmbushim çdo kriter dhe të përballemi me çdo sfidë për Shqipërinë anëtare në Bashkimin Evropian.

Me rëndësi madhore për të ardhmen evropiane të vendit është kalimi nga reforma në drejtësi, te drejtësia funksionale dhe e pavarur, ku askush nuk është mbi ligjin dhe me vendosmëri luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Ndërsa jemi të angazhuar në këtë proces,Shqipëria duhet të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz në marrëdhëniet ndërkombëtare në linjëme partnerët tanë strategjikë: BE, SHBA, NATO.

Shqipëria do të jetë e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës dhe shqiptarëve në rajon dhe kudo, faktor proaktiv paqeje, dialogu e zhvillimi pozitiv e të gjithanshëm. Me rolin tonëurëndërtues të paqes në rajon, me cilësitë tona unike të vëllazërisë fetare, ne mund të ofrojmë ekspertizë konstruktive, nisma inovative dhe shembull frymëzues.

Të nderuar deputetë,

Secili prej jush ka marrë një besim të çmuar nga qytetarët. Kjo është koha ta ktheni atë besim në veprim. Shqiptarët presin rezultate konkrete, përmirësim të jetës së përditshme, mirëqeverisje dhe zhvillim që sjell mirëqenie.

Mbetem gjithmonë i gatshëm për të bashkëpunuar dhe mbështetur çdo nismë e dialog institucional në shërbim të sfidave të përbashkëta. Suksese deputetëve dhe legjislaturës së re të Kuvendit, me Shqipërinë në mendje e zemër!

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu