Shqipëria po preket gjithnjë më shumë nga fatkeqësitë natyrore siç janë zjarret dhe përmbytjet, duke bërë kështu, që edhe vëmendje për marrjen e masave parandaluese të rritet ndjeshëm.

Për këtë arsye, në kuadër të projektit SA Resilience, të financuar nga Bashkimi Europian përmes programit Interreg IPA South Adriatic 2021–2027, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile (AKMC) po zbaton një sërë ndërhyrjesh strategjike që synojnë forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve dhe përmbytjeve në vend.

Përmes një investimi prej 1.5 milionë eurosh të akorduara drejtpërdrejt për këtë institucion nga ky projekt, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC)  po mbështet 5 bashki të prekura çdo vit nga zjarret dhe përmbytjet, siç janë Malësi e Madhe, Pukë, Divjakë, Rrogozhinë dhe Kavajë.

Në fazën aktuale janë zhvilluar takime koordinuese me autoritetet vendore për vlerësimin e situatave emergjente dhe përmirësimin e mekanizmave të parandalimit të hershëm.

“Fenomenet me te shpeshta janë përmbytjet dhe zjarret.  Jo çdo gjë është e parashikueshme, por kjo s’do të thotë që s’duhet të marrim masa dhe në ato zona ku risku historikisht është i ulet. Koordinimi i institucioneve është një sfidë më vete”.

Gjatë takimit të zhvilluar lidhur me avancimin e projektit, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore ndanë eksperiencat dhe të dhënat mbi rastet e zjarreve dhe përmbytjeve për vitin 2025, duke nënvizuar nevojën për investime teknologjike dhe trajnime të specializuara.

Vitin e ardhshëm projekti parashikon investime konkrete në pajisje moderne, përfshirë drone për detektimin dhe shuarjen e zjarreve nga ajri; varka për ndërhyrje në raste përmbytjesh; Veshje profesionale për zhytje dhe ndërhyrje kundër zjarrit; Qou-bike (motorë specialë) për ndërhyrje në zona të thella malore.

Paralelisht me investimet infrastrukturore, projekti ka një komponent të rëndësishëm social dhe edukativ. Fushata ndërgjegjësuese janë zhvilluar në 4 shkolla në bashkitë përfituese, me qëllim edukimin e fëmijëve mbi reagimin korrekt në raste emergjencash, duke kontribuar në ndërtimin e një kulture sigurie afatgjatë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu