BBC i ka kushtuar një artikull agroturizmit dhe kulinarisë shqiptare. Nëpërmjet BBC Travel, rrjeti i njohur mediatik britanik vë në qendër të vëmendjes rolin e gjysheve shqiptare, të cilat vazhdojnë të ruajnë dhe t’u transmetojnë brezave recetat tradicionale shekullore.
BBC shkruan se Shqipëria ka kaluar dy periudha të thella “amnezie kulinare” gjatë 80 viteve të fundit. E para lidhet me regjimin komunist, kur vendi u izolua plotësisht. Librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u kufizuan dhe mungesat ushqimore qenë të shumta, faktorë që ndikuan në vijimësinë e traditës gastronomike shqiptare.
Periudha e dytë nisi pas rënies së komunizmit. BBC shkruan se midis viteve 1989 dhe 2001, rreth 710 mijë shqiptarë, afro 20% e popullsisë, emigruan drejt vendeve të tjera. Duke u integruar në kultura të reja, shumë prej tyre humbën gradualisht lidhjen me recetat e vendlindjes. Kështu, një pjesë e madhe e kuzhinës tradicionale rrezikonte të humbte, por janë gratë e moshuara që ruajnë ende identitetin kulinar. Duke u mësuar brezave të rinj teknikat dhe recetat e lashta, ato kanë bërë të mundur që gastronomia shqiptare të rigjejë rrënjët e saj dhe të kthehet në një shtyllë të rëndësishme të agroturizmit në vend.
Artikulli i BBC Travel:
Shqipëria po i rikthehet gjithnjë e më shumë rrënjëve të saj kulinare me ndihmën e gjysheve kuzhiniere, të cilat po u mësojnë disa brezave se si të gatuajnë receta shekullore. Kjo sepse vendi ballkanik ka përjetuar jo një, por dy periudha “amnezie kulinare” gjatë 80 viteve të fundit.
Së pari, nga viti 1946 deri në 1991, Shqipëria u sundua nga komunistë të vijës së ashpër, të cilët në mënyrë efektive e izoluan plotësisht këtë vend të vogël dhe malor nga pjesa tjetër e botës. Gjatë kësaj periudhe, librat e gatimit u dogjën, importet u ndaluan, udhëtimet jashtë vendit u ndaluan, ushqimi u kolektivizua dhe mungesat ishin të përhapura.
Më pas, në vitet që pasuan rënien e komunizmit në vitet ’90, 710.000 qytetarë – 20% e popullsisë – u larguan nga Shqipëria midis viteve 1989 dhe 2001, në kërkim të punës në vende të tjera. Me kalimin e kohës, shumë prej këtyre emigrantëve harruan recetat e vendlindjes teksa u përshtatën me kultura dhe vende të reja. Midis mungesave të mëdha të ushqimit gjatë komunizmit dhe emigracionit masiv pas tij, shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit kishin harruar si të përgatisnin gatimet tradicionale shqiptare në fillim të shekullit XXI – përveç grave të një moshe të caktuar.






