Reagim publik mbi deklarimet e arkitektit Zef Çuni për Qendrën Historike të Shkodrës
Bashkia Shkodër reagon ndaj deklarimeve publike të arkitektit Zef Çuni, të cilat përmbajnë pohime të pavërteta dhe keqinformuese mbi proceset e planifikimit urban në Qendrën Historike.
Bashkia sqaron se nuk ekziston asnjë plan i miratuar apo propozim zyrtar që parashikon ndërtime 5, 6 apo 7 kate në Qendrën Historike. Në dokumentin e dërguar për shqyrtim pranë AKPT, lartësia maksimale e propozuar është 3 kate. Çdo pohim i kundërt është i pavërtetë.
Çdo dokument planifikimi për Qendrën Historike i nënshtrohet filtrave ligjorë të Ligjit nr. 27/2018 për trashëgiminë kulturore, VKM nr. 771/2020 dhe Ligjit nr. 107/2014 për planifikimin e territorit. Asnjë dokument në kundërshtim me këto akte nuk mund të miratohet.
Bashkia Shkodër informon se nga viti 2021 z. Çuni ka paraqitur 48 aplikime për leje ndërtimi, nga të cilat rreth 65% janë refuzuar nga administratat e tre kryetarëve të ndryshëm të bashkisë për mospërputhje me kriteret urbanistike. Gjithashtu, rezulton se ai ka ndikuar për lejimin e ndërtimeve deri në 7 kate në njësinë ku ndodhet prona e tij, në kundërshtim me deklarimet publike aktuale.
Më 26.12.2024, Bashkia Shkodër ka nisur zyrtarisht hartimin e Planit të Detajuar Vendor për Njësinë SH001.UB, në bashkëpunim me AKPT dhe IKTK. Ky proces synon ruajtjen dhe mbrojtjen e Qendrës Historike, jo rritjen e volumit ndërtimor, dhe respekton kufizimet ligjore të lartësisë 10 m dhe 12 m. Për hir të transparencës me publikun njoftojmë se dokumenti i komentuar është variant draft jo përfundimtar , i cili do të kalojë në procesin e duhur ligjor, përfshirë konsultimet publike para miratimit përfundimtar.
Bashkia Shkodër garanton se vendimet merren mbi bazën e ligjit dhe dokumenteve zyrtare. Kritika profesionale është e mirëpritur, ndërsa keqinformimi dhe presioni publik nuk pranohen.
Zyra e Medias
Bashkia Shkodër






