Në qershorin e vitit 2023, pasi mori mandatin e kryetarit të bashkisë Shkodër, Benet Beci e nisi punën me një aksion për lirimin e hapësirave publike në qytet, që u përshëndet nga të gjithë qytetarët. Por pas më shumë se 1 viti nga dalja në terren e policisë bashkiake dhe grupeve të punës, realiteti vijon të jetë po ai. Në trotuare shitësit ambulant dhe bizneset kanë zënë hapësirat e dedikuara për kalimtarët, duke dëshmuar se aksioni në fjalë ishte thjesht një shoë, pasi problematika nuk mori zgjidhje. Mjafton një vëzhgim i thjeshtë në akset kryesore të qytetit për ta konstatuar një fakt të tillë, ku trotuaret janë të zëna nga shitësit ambulant, apo bizneset që kanë ndërtuar konstrukte të ndryshme. Jo vetëm kaq, por edhe më i rëndë bëhet ky skandal kur tashmë shumë akse rrugore i sheh të vijëzuara nga bizneset me viza të verdha që nuk paguajnë taksa, apo duke i zënë me karrige dhe mjeta të tjera, vendet e parkingjeve publike. Të gjitha këto ndodhin në mes të ditës, por zyrtarët e bashkisë Shkodër nuk kanë kohë për ti parë dhe aq më pak për të ndërhyrë. Policia bashkiake mjaftohet me vendosjen e gjobave ndaj automjeteve në disa segmente të caktuara, sa për të fryrë të ardhurat në arkën e bashkisë dhe asgjë më shumë. Territori rezulton të jetë jashtë kontrollit dhe shkeljet përgjatë 24 orëve janë të panumërta./newspower.al