Strukturat shëndetësore dhe Forcat e Armatosura bashkë në misionin e tyre fisnik, në shërbim dhe mbrojtje të qytetarëve – si themel i sigurisë dhe mirëqenies kombëtare, duke promovuar parandalimin, depistimin e hershëm dhe kujdesin e vazhdueshëm për jetën.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof.Evis Sala dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilluan një takim sensibilizues me gratë dhe vajzat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut (RKV) në Vaun e  Dejës, me qëllim ndërgjegjësimin për depistimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Ministrja Sala theksoi se Programi Kombëtar i Depistimit të kancerit të Gjirit vazhdon gjatë gjithë vitit dhe apeloi për kontrolle periodike, në mënyrë që të parandalohen sëmundjet e rënda.

“Jemi vërtetë në ditën e fundit të muajit tetor, por Programi Kombëtar i Depistimit për Parandalimin  e Kancerit  të Gjirit  vazhdon gjatë gjithë vitit. Në janar-tetor 2025 janë  kryer rreth 16 000 mamografi, nëpërmjet mamografive stacionare dhe lëvizëse –  një tregues i ndërgjegjësimi që duhet të vijojë gjatë gjithë vitit, pasi parandalimi shpëton jetë. Ndjesi e bukur për mua që si ministre, por mbi të gjitha si mjeke diagnostikuese të jem mes grave e vajzave që mbrojnë vendin dhe jetën”.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndër institucional për shëndetin dhe mirëqenien e efektivëve dhe komunitetit.

“ Siç është tashmë traditë, bazat tona shërbejnë edhe si qendra për të mundësuar jo vetëm testimin dhe depistimin e grave e zonjave ushtarake që ushtrojnë detyrën në këto baza, por edhe për komunitetin”, nënvizoi ministri Vengu.

Në Regjimentin e Këmbësorisë së Veriut (RKV), në Vaun e Dejës u stacionua dhe një nga mamografitë tona lëvizëse, ku gratë dhe vajzat në uniformë por edhe të komuniteti përreth kryen ekzaminimin falas.
Dy ministrat u takuan edhe me trupat e Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, të cilët i falënderuan për punën e bërë në misionin e tyre për sigurinë e vendit dhe ndihmën e madhe të dhënë në misionet e emergjencave civile.

Regjimenti i Vaut të Dejës, në bashkëpunim me strukturat lokale shëndetësore prej vitesh është angazhuar në misione shpëtimi, luftën kundër zjarreve dhe përmbytjeve për t’u ardhur në ndihmë njerëzve, pronës së tyre dhe pasurive natyrore të vendit. Ata vlerësuan Forcat e Armatosura dhe bluzat e bardha për angazhimin aktiv në këtë drejtim, duke nënvizuar faktin se ata janë hallka të rëndësishme në zinxhirin e parandalimit dhe reagimit në rastin e fatkeqësive natyrore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu