Tashmë nuk ka asnjë dyshim! Zgjedhjet e 14 majit, do të jenë i njëjti skenar si 6 marsi për opozitën shqiptare. Ilir Meta do të jetë “i plotfuqishëm” dhe do të drejtojë koalicionin me Sali Berishën që kanë vendosur ta quajnë “Bashkë Fitojmë”. 

Kështu me këtë marrëveshje të arritur, ky koalicion do të futet në garën e 14 majit për kryetarë Bashkie me kandidatët e dalë nga ‘Primaret’ e ndërsa ka një dakordësi mes palëve edhe për të dalë edhe me lista të përbashkëta për anëtarë të këshillave bashkiakë. Në pikën 7 të kësaj marrëveshjeje, thuhet qartë se në listat shumëemërorë për këshilltarë të Koalicionit Zgjedhor do të përfshihen për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre bazuar në marrëveshjen midis palëve. Kandidatët në listët shumë emërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin do të vlerësohen si kandidat vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimin e tyre sipas përkatësisë partiake.

Ajo që vihet re në dokumentin zyrtar të dorëzuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është se brenda këtij koalicioni, përveç Partisë së Lirisë të Ilir Metës, PDK-së së Nard Ndokës dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules, është e përfshirë edhe PD-ja. Një ditë më parë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosur që të mos e regjistronte Partinë Demokratike, mirëpo Sali Berisha dhe Ilir Meta e ‘sfidojnë’ këtë vendim duke e bërë pjesë të këtij koalicioni edhe PD-në. Ndërkohë që ligji e thotë qartë që një parti politike e paregjistruar në zgjedhje nuk mund të jetë kurrsesi në një koalicion. Mirëpo, përtej asaj që thotë ligji, përfaqësuesi ligjor i grupit të Berishës, Ledio Nuraj, shprehet me bindje se Celibashi do e regjistrojë. “Jemi në bindjen e plotë që PD do të pranohet sepse PD është partia më e madhe opozitare, që është ajo parti që paraqet alternativën ndryshe, bashkë me koalicionin që përfaqëson ajo dhe PD do regjistrohet sepse mbështet dhe ka nxjerrë përfaqësuesit e elektoralit nga primarët që janë kandidatët për kryetar Bashkisë”, tha Nuraj. Megjithatë, përtej deklaratave politike, duke se Meta dhe Berisha presin që Celibashi të mos e pranojë PD-në në koalicion, njësoj siç ndodhi edhe në zgjedhjet e 6 marsit dhe për këtë kanë marrë edhe masa. Kjo mund të kuptohet fare mirë, për faktin se kanë vendosur që Partia e Lirisë të jetë ajo që drejton dhe jo Sali Berisha.  Bashkë me emrin është publikuar edhe logoja zyrtare. Logoja është dy duar të shtrënguara me ngjyrat rozë dhe blu. Arritja e marrëveshjes për koalicionin “Bashkë fitojmë” u bë pas ditësh të tëra negociatash e takimesh mes Berishës e Metës, Ndokës e Dules. Në koalicion të përfshirë nuk janë parti të tjera të spektrit të djathtë, me të cilët kreu i Rithemelimit thotë se ka dakordësi politike për të mbështetur në terren kandidatët e dalë nga primaret për kryebashkiakë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu