Ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura do iu ofrohet banesë në përdorim në objektet ekzistuese të përshtatura për strehim apo në objektet e reja të ndërtuara për qëllime strehimi nga Ministria e Mbrojtjes”. Ky do të jetë një prej përfitimeve të reja që do të kenë ushtarakët që nuk kanë banesë në pronësi, për shkak të detryës që ata ushtrojnë. Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura”, teksa në relacionin që shoqëron dokumentin thuhet se qëllimi është përmirësimi i mbështetjes për ushtarakun dhe familjen e tij, duke përafruar standardet për mbështetjen e ushtarakut me vendet anëtare të NATO-s.
Përveç banesës në përdorim, ushtarakët do të pajisen me dokument të identifikimit ushtarak i shoqëruar me privilegje, që do të përcaktohen me akte nënligjore të veçanta apo me marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe subjekteve të tjera publike apo private. Po ashtu, rishikohet dispozita ligjore që përcakton pagën e ushtarakut aktiv dhe sipas propozimit të ri paga mujore e personelit ushtarak aktiv do të përbëhet nga paga bazë, shtesa për vjetërsi shërbimi në Forcat e Armatosura, për kushte të veçanta pune e shërbimi dhe shtesa të tjera sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Shtesat e tjera do të varen nga strukturat apo pozicionet në të cilët shërben ushtaraku.
Një risi është propozimi për shpërblim financiar të ushtarakut në momentin e ndërprerjes së shërbimit ushtarak, si kontribut i dhënë në Forcat e Armatosura. Sipas draftit shpërblimi financiar shkon deri në 15 paga referuese të muajit të fundit të gradës që mban për ushtarakët dhe detarët, deri në 20 paga për nënoficerët dhe deri në 25 paga për oficerët. Po ashtu, ushtarakët që dalin në rezervë do të kenë mundësi të punësohen në funksione të barasvlefshme në administratën publike.
Nga ana tjetër, parashikohet edhe kthimi në shërbim aktiv i ushtarakëve në rezervë për nevoja të Forcave të Armatosura.
Drafti parashikon edhe disa përfitime të tjera shtesë për ushtarakët aktivë, si dhe përcakton se studenti që fillon studimet në akademitë ushtarake brenda dhe jashtë vendit, përfiton trajtim financiar të barabartë me pagën e ushtarit të parë. Efektet financiare për zbatimin e këtij ligji arrijnë në rreth 1.77 mld lekë në vit.