Ligji “Për sektorin e energjisë elektrike” do të rishikohet”. Lajmi u bë me dije nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë tryezës mbi sistemin elektroenergjetik, arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik, të zhvilluar me përfaqësues të institutioneve të sektorit.
“Duke hapur negociatat për anëtarësim, grupkapitullin nr. 4, i cili përfshin Axhendën e Gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme, e gjithë kjo punë na vendos përpara një përgjegjësie shumë të madhe jo vetëm gjatë procesit të negocimit, por edhe për përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra për të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që duhen performuar. Siç është edhe rasti i ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili tahsmë është në draftin e tij final dhe ne planifikojmë që shumë shpejt ta hedhim për konsultim publik, të detajuar me gjithë grupet e interesit“, – tha ajo.
Balluku riktheu në vëmendje performancën e sektorit, që solli uljen e çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë.
“OSHEE Group, një performancë të shkëlqyer, që gjatë vitit 2024 u kurorëzua me një fitim prej 7.3 mld lekësh, duke na dhënë kështu mundësinë, së bashku me performancën e mirë të OST dhe KESH, që të bënim një ulje të rëndësishme të çmimit“, – u shpreh Balluku
Duke theksuar rëndësinë që ka leximi i matësve, sipas skemës së tarifimit me fasha që aplikohet aktualisht, u bë me dije se ka vende vakante edhe për 60 lexues të tjerë. Ndërkaq, administratori i OSSH u ndal te investimet e kryera në rrjetin elektrik dhe masat për menaxhimin e sezonit turistik, duke marrë në konsideratë rritjen e ngarkesës në zona të caktuara. Ai përmendi investimet në zonat bregdetare, si dhe në zonat malore e specifikisht në Theth dhe në rajonin Koplik – Tamarë – Vermosh.
“Planifikimi i investimeve nuk bëhet më për të kaluar situatat emergjente, por bëhet duke parashikuar rritjet e vrullshme që ne do të kemi vit pas viti. Jo vetëm në vijën bregdetare, por edhe në zonat malore ne kemi filluar një seri investimesh që do t’i paraprijë zhvillimeve për disa dhjetra vite”, – tha Bledian Dalipi, administrator i OSSH.
Më tej, Balluku u shpreh se çmimi i energjisë elektrike do vazhdojë të ulet, kjo për shkak të performancës së mirë që ka bërë sistemi elektro-energjetik në vend.
“Kemi garantuar zhvillim të mbështetur në burimet e rinovueshme të energjisë. Shqipëria është bërë tërheqëse për investime ndërkombëtare në energjinë e rinovueshme. Shëndoshja financiare e sektorit elektrik solli një sërë rezultatesh të mira. Ulja e çmimit të energjisë është historike, Shqipëria ka më shumë kapacitete prodhuese. Çmimi i energjisë do vijojë të ulet”, tha ajo.
Aktualisht, po punohet edhe për identifikimin e zonës ku do ndërtohet nënstacioni elektrik i Shëngjinit, teksa në mbyllje të takimit Balluku solli në vëmendje luftën ndaj informalitetit në sektor, veçanërisht në disa rajone ku vjedhja e energjisë është më e madhe.