Ministria e Brendshme për pak ditë pritet të publikojë draftligjin e ri për Policinë e Shtetit, i cili pritet të ketë në fokus meritokracinë dhe integritetin e punonjësit të Policisë së Shtetit, duke i hapur rrugë karrierës në radhët e saj.
Në një prononcim për mediet, në përfundim të një konferencës me temë “Llogaridhënia”, ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se draftligji, i cili po përgatitet për t’u hedhur në konsultim publik, do të ketë në fokus mundësinë që çdo punonjësi i ndershëm dhe me integritet i Policisë së Shtetit të bëjë karrierë.
“Pas një kohë të gjatë nga ndryshimet e herëpashershme në ligjin për Policinë e Shtetit, ka lindur nevoja për të patur një ligj të PSH. Ju informoj se tashmë kemi një draft, i cili është na fazën përfundimtare të konsultimeve brenda për brenda Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, por po merr dhe opinionet e vyera të partnerëve me të cilët punon Policia e Shtetit. Besoj në pak ditë, drafti do të jetë i disponueshëm edhe për konsultime publike e për t’i dhënë rrugë pastaj miratimit në Qeveri dhe kalimit në Kuvend për miratimin përfundimtar. Ligji i ri i Policisë së Shtetit, duhet të garantojë një dinamizim të karrierës brenda PSH, duke i dhënë mundësi meritokracisë që të jetë dimensioni kryesor i të bërit karrierë brenda Policisë së Shtetit. Dua t’i garantojmë çdo punonjësi të ndershëm, profesionist të PSH të bëjë karrierë. E vërteta është se brenda PSH në këto vite ka patur një bllokim të karrierës në Polici. Ka plot oficerë të zotë, të cilët nuk kanë mundur të bëjnë përpara me sistemin e gradave dhe kjo e pamundëson marrjen e përgjegjësive konkrete në funksione drejtuese dhe sikurse ka pasur një stagnatizim sa i përket le të themi ndryshimit të gjeneratave dhe në këtë aspekt mendoj që pas konsultimesh, pas një pune intensive të përditshme të kemi shumë shpejt një draft, i cili do të bëhet publik ku dhe ju dhe opinioni publik është i mirëpritur sepse në fund të fundit konsultimet publike prandaj janë. Por unë mendoj që ligji i ri i Policisë së Shtetit i është referuar dhe eksperiencave më të mira. Duhet të na garantojë një Polici Shteti, e cila t’i përgjigjet kërkesave dhe pritshmërive të publikut në qasjen tonë për ta shndërruar Policinë e Shtetit si institucioni më i besuar nga publiku në vend. Kështu që në këtë aspekt do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që të presim dhe pak ditë sepse jemi në ato momentet e fundit. Është një ligj në kuptimin edhe për sa i përket numrit të neneve edhe për sa i përket ndryshimeve është një ligj, goxha i madh, e në këtë aspekt puna përfundimtare është po aq e rëndësishme për ta bërë gati për t’iu nënshtruar konsultimeve publike”.
Pyetje: Z. Ministër në fjalën tuaj përmendët një Kod të ri Etike. Pse është i nevojshëm një Kod i ri Etike?
Ministri Balla: Sapo kam mbërritur nëse kujtoni në mes të muajit korrik kam kërkuar që Kodi Etik ekzistues të vendoset në dyert e çdo Komisariati. Kjo ka ndodhur, por tashmë pas shumë konsultimesh edhe për sa i përket Kodit Etik mendoj se ka shumë ide inovatore për t’u përfshirë. Është shumë e nevojshme të rregullojmë qasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit për të parandaluar çdo lloj kontakti të papërshtatshëm, për të parandaluar çdo lloj komunikimi të papërshtatshëm, në mënyrë që të garantojmë që punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, apo edhe ata të PMNZSH, që hyjnë në juridiksionin e AMP, ta kenë të qartë që në ushtrimin e detyrës së tyre, duhet të parandalojnë çdo formë konflikti interesi, duhet të garantojnë punë me integritet të lartë, dhe po ashtu elementë të tjerë, që garantojnë sukses por edhe besueshmërinë e publikut Mos e harroni asnjëherë që aleati më i madh i Policisë së Shtetit në detyrën e vet, gjithmonë është publiku. Që të garantosh besimin e publikut duhet të punosh gjithmonë me integritet dhe me ndershmëri.
Në këtë aspekt edhe kjo konferencë sot për llogaridhënien, i vlen ideve të reja për të çuar shumë shpejt për një diskutim tjetër publik kodin etik për Policinë e Shtetit.
Pyetje: Gjatë ditës së djeshme dhe në javët e fundit ka pasur disa arrestime të disa personazheve të kërkuar nga drejtësia shqiptare në Emiratet e Bashkuara Arabe. A ka sinjale pozitive për t’i sjellë në Shqipëri këta persona?
Ministri Balla: Para disa muajsh, edhe ju nuk e besonit që ne mund të arrijmë të identifikojmë dhe më pas t’i ndalojmë persona në vende me të cilat nuk kemi marrëveshje ekstradimi. Gjej rastin t’i falënderoj autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese e EBA, me të cilët kemi një komunikim pothuajse të përditshëm, lidhur me identifikimin dhe gjetjen e personave të cilët kërkohen nga drejtësia. Këtu gjej rastin të nënvizoj për publikun, një përgjigje që shpeshherë e bëjnë shumë, edhe ju, edhe në studiot e darkave, se përse Policia e Shtetit po merret edhe me këta persona që nuk jetojnë në Shqipëri, apo që janë dhe në këto vende përfshirë dhe EBA.
Llogaridhënia duhet të jetë e njëjtë për çdo qytetar. Për sa kohë që ka një vendim gjykate, sa kohë që je në kërkim, qoftë dhe policor, detyra e Policisë së Shtetit është që këta persona të gjenden dhe të vendosen para drejtësisë. Ne po punojmë me autoritetet e EBA, për të pasur sa më shpejt një marrëveshje ekstradimi. Pas disa javëve do të jem zyrtarisht në EBA për t’u takuar me autoritetet më të larta, qoftë në Ministrinë e Brendshme, qoftë në atë të Drejtësisë, për të finalizuar një marrëveshje, e cila të na mundësonte që edhe ky vend, të mos jetë më, le të themi, si një oaz shpëtimi për të gjithë ata që kanë probleme me drejtësinë. E vërteta është që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi dhe rezultate e këtyre ditëve po e konfirmojnë këtë gjë.
Pyetje: Po për ngjarjen në Lushnje?
Ministri Balla: Unë i kam bërë komentet e mia që në momentin e parë, ku i kam kërkuar Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pas kalimit, le të themi, të emergjencës së shpëtimi të personave të personave të plagosur dhe natyrshëm, ri-shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia për familjen Hoxha, të cilët humbën dy të afërmit e tyre. Në këtë fazë, është shumë e rëndësishme që policia dhe prokuroria të vazhdojnë hetimet. Më vjen mirë që Policia e Shtetit, në raportimin paraprak ka identifikuar disa elementë të disa veprave penale, të cilat tashmë duhen hetuar thellësisht nga prokuroria. Dua që t’u kërkoj “kukuvajkave” të politikës që le të lenë Policinë e Shtetit dhe prokurorinë të bëjnë detyrën si duhet.
Pyetje: Për dronët “Bayraktar” që u përuruan ditën e djeshme në Kuçovë, a do të ketë akses Policia e Shtetit në këto dronë dhe si do përdoren?
Ministri Balla: E vërteta është që ne shpeshherë, në punën e Policisë së Shtetit përdorim edhe infrastrukturën e Forcave të Armatosura. Jo vetëm dronët, përdorim edhe helikopterët, por edhe kapacitete të tjera. Besoj, si çdo shqiptar, dita e djeshme ka qenë një ditë historike për vendin. Fakti që jemi vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor me një bazë ajrore të NATO-s dhe shumë shpejt edhe më një bazë detare të NATO-s, na bën krenarë për Shqipërinë tonë të përbashkët. Faleminderit.






