Avokatët e italianit Davide Pecorelli, i cili ndodhet i burgosur në Shqipëri për inskenimin e vdekjes së tij, i kanë drejtuar një letër ministrit të Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, si dhe Ambasadës Italiane në Tiranë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për mbrojtjen e klientit të tyre dhe për garantimin e të drejtave themelore të njeriut gjatë qëndrimit të tij në paraburgim.

Në letrën e avokatëve Massimo Brazzi dhe Andrea Castori, theksohet domosdoshmëria që ndaj Pecorellit të zhvillohet një proces i drejtë dhe transparent përpara Gjykatës së Apelit në Tiranë, seanca e së cilës është caktuar për 18 shtator.

Në këtë apel zyrtar, përveç institucioneve diplomatike, janë përfshirë edhe dy përfaqësues të Partisë Demokratike italiane nga zona e Umbrisë, deputetja Anna Ascani dhe senatori Walter Verini, të cilëve u është përcjellë komunikimi për dijeni.
Avokatët e Pecorellit ankohen për kushtet në të cilat po mbahet klienti i tyre në burgun 313 në Tiranë. Sipas tyre, kushtet janë alarmante dhe të papranueshme.

Ata citojnë se dhoma është vetëm 16 metra katrorë dhe në të mbahen tetë persona, me mungesë uji të rrjedhshëm.

Avokatët theksojnë se këto kushte jo vetëm që bien ndesh me standardet minimale evropiane, por përbëjnë rrezik real për trajtime çnjerëzore dhe degradues, në shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjithashtu, ata kujtojnë se gjatë procedurave të ekstradimit në Itali, në Gjykatën e Apelit të Peruxhës dhe më pas në Gjykatën e Lartë, është theksuar rreziku që kushtet në burgjet shqiptare të mos përmbushin standardet ndërkombëtare.

Rasti i tij ka tërhequr vëmendje edhe në opinionin publik në Itali. Influencuesi dhe sipërmarrësi italian i njohur me pseudonimin “Ale della Giusta” (Alessandro Della Giusta), ka publikuar së fundmi një video ku rrëfen historinë e ish-ndërmarrësit italian të përfshirë në një çështje komplekse ligjore në Shqipëri.

Pak ditë më parë, në një intervistë për mediat italiane, Pecorelli deklaroi se ka humbur 6 kilogramë dhe po mbahet në një qeli 16m2 së bashku me 8 të tjerë.

Davide Pecorelli është i dënuar me 4 vite burg në Shqipëri pasi inspektoi vdekjen e tij në Pukë 5 vite më parë, për shkak të borxheve që kishte në Itali. Ai është shpallur fajtor për “Mashtrim” në bashkëpunim, “Dhunimi i varreve” “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” e “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Pasi u zbulua se ishte gjallë, Pecorelli u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu