“Njerëzit ikin nga jeta jonë, sepse ashtu e do Zoti, nga zemra jonë nuk ikin asnjëherë, sepse kështu duam ne…”, është kjo letra e lamtumirës për dy të miturit që gjetën vdekjen tragjikisht në Greqi duke u mbytur në lumë, Spridhon Kristofor dhe Kleoni Fezollar, njëri grek dhe tjetri shqiptar.
Ata ishin vetëm 14 dhe 12 vjeç, e ndërsa ajo ditë do duhej të ishte një ditë e bukur dhe plot aventura, u kthye në tragjedi kur uji i lumit u mbushi mushkëritë e vogla. Edhe pse një tjetër shqiptar, Ledian Goga, u fut në ujë duke rrezikuar jetën, dhe arriti t’i nxirrte të gjallë, dy vogëlushët humbën jetën në spital. Prindërit e tyre, treguan forcë, guxim dhe mirësi kur vendosën që organet e tyre t’i dhurojnë në spital, për të shpëtuar jetë të tjera.
Procedura për 14-vjeçarin grek është kryer ditën e djeshme, ndërsa sot do të kryhet procedura për 12-vjeçarin shqiptar. Organizata Kombëtare e Transplanteve (NTO) po mbulon shpenzimet e funeralit të dy fëmijëve, pas një urdhri përkatës nga Ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis.