Ati i Shenjtë Papa Leoni XIV ka emëruar Nunc Apostolik në Shqipëri Shkëlqesinë e Tij Fort të Nderuar Imzot Mirosław Adamczyk, Kryepeshkop titullar i Otrikolit, i cili deri tani ka shërbyer si Nunc Apostolik në Argjentinë.

Imzot Mirosław Adamczyk ka lindur më 16 korrik 1962 në Gdansk të Polonisë. Më 16 maj 1987 u shugurua meshtar për Kryedioqezën e Gdanskut. Ai ka përfunduar studimet doktorale në të drejtën kanonike, duke u përgatitur për një shërbesë të gjatë dhe të rëndësishme në diplomacinë kishtare.

Më 1 korrik 1993, Imzot Adamczyk hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë. Gjatë viteve, ai ka shërbyer pranë përfaqësive papnore në disa vende të botës, përfshirë Madagaskarin, Indinë, Hungarinë, Belgjikën, Afrikën e Jugut dhe Venezuelën, duke fituar një përvojë të gjerë pastorale dhe diplomatike në kontekste të ndryshme kulturore dhe shoqërore.

Shërbesa ipeshkvnore

Më 22 shkurt 2013, Papa Benedikti XVI e emëroi Kryepeshkop titullar të Otrikolit dhe Nunc Apostolik në Liberi. Shugurimin ipeshkvnor e mori më 27 prill 2013 nga kardinali Kazimierz Nycz, Kryepeshkop Metropolit i Varshavës, me bashkë-shugurues Kryepeshkopin Sławoj Leszek Głódź dhe Imzot Savio Hon Tai-Fai. Ceremonia u zhvillua në Katedralen e Oliwës në Gdansk.

Më 8 qershor 2013, Papa Françesku e emëroi gjithashtu Nunc Apostolik në Gambi, ndërsa më 21 shtator të po atij viti edhe në Sierra Leone. Më 12 gusht 2017 u emërua Nunc Apostolik në Panama, dhe më 22 shkurt 2020 mori detyrën e Nuncit Apostolik në Argjentinë.

Me emërimin e tij të ri, Imzot Mirosław Adamczyk vjen në Shqipëri për të përfaqësuar Selinë e Shenjtë dhe për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Kishës Katolike në Shqipëri dhe Vatikanit. Emërimi i ri shihet si një vazhdimësi e përkushtimit të Selisë së Shenjtë ndaj Kishës në Shqipëri dhe rolit të saj në shoqërinë shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu